JUSUF URUÇI-LUFTËTAR I SHQUAR PËR MBROJTJEN E KUFIJVE SHQIPTARË
Dashamir URUÇI*
PËRMBLEDHJE
Në letrën nr.40, të datës 22 qershor 1878 të konsullit austro-hungarez Lipch, dërguar ambasadorit të Austro-Hungarisë në Stamboll, kontit Zichy njoftohet për nisjen në Prizren të një grupi delegatësh, ku bëjnë pjesë edhe Jusuf Uruçi si deputet i Shqipërisë. Më 19 qershor 1878 Jusuf Uruçi harton dhe i dërgon nga Shkodra një telegram Kongresit të Berlinit, të nënshkruar prej 29 përfaqësuesve nga Shkodra, Kruja, Tirana, Kavaja, Dibra, Tivari, Ulqini, Podgorica, Hoti, Kelmendi, Kastrati, Shkreli, Mirdita, Shala e Anamali. Në emër të të gjitha përfaqësive ndër të tjera i shkruan : “…Kemi nderin të deklarojmë se kombi shqiptar, qoftë mysliman, qoftë katolik, krejtësisht i ndryshëm si racë a besim nga ai i sllavëve, është i një mendimi në vendimin për ta mbrojtur atdheun e tij kundër shkëputjes së tokave që ishin projektuar, kundër historisë, interesave e dëshirave të tij. Ju lutemi të mbroni tërësinë tonë kombëtare e tokësore, të na kursehen konfliktet e kobshme që do të pëlcasin, nëqoftëse kryhen aneksionet lidhur me Shqipërinë, të na hapet rruga e zhvillimit të dëshiruar prej nesh dhe të ndiejmë ndikimin fatlum të qytetërimit…”.
Lufta dhe përpjekjet e Jusuf Uruçit për mbrojtjen e tokave shqiptare janë pjesë e pandarë e jetës së tij. Presione e shantazhe të mëdha, ashtu si dhe lajka e ofiqe i ofruan armiqtë e shumtë të vendit tonë, por ai nuk u tund dhe si të tillë koha e rrit dhe e lartëson çdo ditë. Nderimi dhe mirënjohja e popullit i japin vlera gjithmonë e më të mëdha.
Fjalë kyçe: konsulli austro-hungarez, deputet i Shqipërisë, tërësinë tonë kombëtare e tokësore, rruga e zhvillimit
*Profesor, Studiues, Akademia Alternative Shkencore Rrënjët Tona, Tiranë