PËRPJEKJET E SHQIPTARËVE NË TREVAT LINDORE NË PERIUDHËN (1905-1913)
Prof.dr. Nebi DERVISHI*
PËRMBLEDHJE
Pas shtypjes së Lëvizjes së Pejës, Porta e Lartë i vijoi ndjekjet dhe persekutimet në Shqipëri. Ajo forcoi më tej regjimin e terrorit policor dhe politikën e mohimit të të drejtave kombëtare më elementare të shqiptarëve. Atdhetarët shqiptarë mbajtën qëndrim kritik ndaj reformave demagogjike të Sulltanit, që sillnin me vete dhe rrezikun e coptimit të Shqipërisë. Në rrethanat e reja politike qëu krijuan, dhe me zgjerimin e levizjes së armatosur popullore, shtrohej përsëri nevoja e organizimit më të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ku edhe shqiptarët e Trevave lindore dhanë kontributin e tyre si ps.h. me nismën e atdhetarit Bajo Topulli, në nëntor të 1905 u formua në Manastir Komiteti i Fsheshtë për lirinë e Shqipërisë – Ja vdekje – ja Liri. Brenda pak kohësh, edhe në krahina të tjera të Shqipërisë u formuan, komitete të fshehta, të cilat mbanin lidhje të fshehta me njëra – tjetrën dhe veprimin përgjithësisht, nën ndrejtimin Komitetit të Manastirit. Në kumtesë do të përfshihen të gjitha ngjarjet më të rëndësishsme nga historiae popullit shqiptar, e cila deri në vitit 1912 është e përbashkët, si: Lëvizja kombëtare shqiptare dhe Turqit e rinj (1908-1909); Kongresi i Parë i Manastirit 14-22.XI.1908, që nuk ishte thjesht një mbedhje gjuhëtarësh, por një Kongres kombëtar, ku u shtruan përveç unisimit të Alfabetit të gjuhës shqipe, por edhe kërkesa me karakter ekonomik e politik në një program prej 18 pikësh. Aty u vendos, që për të gjithë klubet shqiptare të caktohej si klub qendror Klubi “Bashkimi” në Manastir; Kongresi i Dibrës (23-28 korrik 1909) dhe Dervish Hima; Kryengritjet shqiptare në Kosovë 1910-1911; Kryengritjet e Përgjithshme e vitit 1912; Bisedimet shqiptaro-turke, dhe 18 gushti 1912, ku Porta e Lartë pranon kërkesat e parashtruara nga Hasan Prishtina, por me disa ndryshime; Lufta e parë Ballkanike dhe Shqiptarët e trevave Lindore; Roli i “Shoqërisë së Zezë për Shpëtim” dhe dega e saj “Pështimi”, në Shkup. Mbledhja e Shkupit 14 tetor 1912 në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës organizuar nga atdhetarët shqiptarë që vepronin aty; Flamurtarët në Kuvendin historik të Vlorës më 28 Nëntor 1912 nga trevat Lindore: Hamit Bej Ohri, Zudi Bej Ohri, Dr. Murteza Ali Struga, etj. Qëndresa e shqiptarëve në trojet e pushtuara jashtë kufijve shtetëror; Kryengritja e Shtatorit 1913, e para kryengritje antiserbe.
Fjalë kyç: Kongresi i Parë i Manastirit Alfabet klube shqiptare, “Bashkimi” Manastir; Kongresi i Dibrës, Dervish Hima;
*historian, studiues, profesor në Universitetin e Tetovës, Tetovë, Maqedoni e Veriut.
LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË TREVAT LINDORE 1905-1920
Pas shtypjes së Lidhjes së Pejës “Besa – Besë” dhe vrasje së Haxhi Zekës (1902)[1], Porta e Lartë i vijoi ndekjet dhe persekutimet në Shqipëri. Ajo forcoi më tej regjimin e terrorit policor dhe politikën e mohimit të të drejave kombëtare më elementare të shqiptarëve. Autoritetet osmane i dhanë një goditje të fortë dhe lëvizjes arsimore e kulturore shqiptare. Ato ndoqën dhe arrestuan mësuesit e gjuhës shqipe, ndaluan përhapjen e librave shqip dhe mbyllën, përveç tjerash edhe “Mësonjëtoren shqipe të Korçës (1902). Shtypja ekonomike dhe politike osmane dhe ndërhyrja e shteteve të huaja e rriti pakënaqësinë e shqiptarëve jo vetëm në Vilajetin e Kosovë, por edhe në vise të tjera të Shqipërsë së Veriut, të Shqipërisë së Mesme, të Shqipërisë së Jugut, e sidomos në Vilajetin e Manastirit, ku bënin pjesë Trevat Lindore Shqiptare ku shquhej sidomos trevat e Dibrës.
Atdhetarët shqiptarë mbajtën qëndrim kritik ndaj reformave demogagjike të Sulltanit, që sillnin me vete dhe rrezikun e coptimit të Shqipërisë. Rritja e lëvizjes kryengritëse në Shqipëri në veçanti në trevat lindore e verilindore (Maqedoninë Perëndimore e Kosovë) ishte në kundërshtim me politikën e Fuqive të Mëdha të ruajtjes të statuquo-së në Ballkan. Qarqet shoveniste ballkanike u përpoqën, me mjete të ndryshme propagandistike dhe me anë bandash të armatosura, të ndryshonin karakterin etnik të “Vilajeteve maqedonase”. Këto veprime u shtrinë dhe në viset me popullsi shqiptare. Viktimë e kësaj politike të egër terroriste u bë edhe kleriku e shkrimtari atdhetar Papa Kristo Negovani, i cili u vra bashkë me disa bashkëfshatarë në fshatin e tij, në shkurt të vitit 1905, nga një bandë greke[2]. Në rrethana të reja politike që u krijuan, dhe me zgjerimin e lëvizjes së armatosur popullore, shtrohej përsëri nevoja e organizimit më të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Me nismën e atdhetarit Bajo Topulli në nëntor të 1905 në Manastir u formua Komiteti i Fshehtë Shqiptar me emrin “Për Lirinë e Shqipërisë”[3]. Brenda pak kohë, edhe në krahina të tjera të Shqipërsë u formuan komitete të fshehta, të cilat mbanin lidhje me njëri-tjetrin dhe veprimin përgjihësisht nën drejtimin e Komitetit të Manastirit. Qëllimi i këtyre komiteteve ishte organizimi i Lëvizjes Çlirimtare dhe i luftës kundër ndërhyrjeve të huaja. Për arritjen e qëllimeve kombëtare, ato i vinin rëndësi të veçantë, bashkimit të shqiptarëve, pavarsisht nga feja dhe krahina, përhapjes së diturisë, agjitacionit patriotik, si dhe organizimit të çetave të armatosura. Në vitet 1907-1908, çetate armatosura patriotike e shtuan veprimtarinë e tyre[4]. Në krye të çetës kryesore u vu Çerçiz Topulli së bashku me shkrimtarin atdhetar Mihail Grameno.
Ndihmesë të madhe në revolucionin xhonturk të korrikut 1908 dhanë shqiptarët e trevave lindore e verilindore, sepse interesi ishte i perbashkët në luftën kundër apsolutizmit të sulltanit dhe ndërhyrjes së huaj bëri që shqiptarët të bashkëpunojnë me turqit e rinj. Madje, shumë atdhetarë shqiptarë, si Dr. Ibrahim Temo nga Struga e Hamdi Bej Ohri nga Ohri, u bënë ndër nismëtarët e lëvizjes xhonturke[5]. Turqit e rinj synonin të vendosnin një regjim kushtues dhe të zbatonin disa reforma që ta forconin Perandorinë përball ndërhyrjeve të shteteve të huaja. Mjaft atdhetarë shqiptarë menduan, se me plotësimin e këtyre objektivave, përmes rivendosjes së Kushtetutës do t’i hapej rruga dhe sendertimit të të drejtave kombëtare të popullit shqiptar.[6]
Turqit e rinj u përpoqën të siguronin mbështetjen e popujve të shtypur të Perandorisë Osmane. Madje, premtuan se do të njihnin atyre dhe disa të drejta kombëtare. Aty nga mesi i muajt qershor të vitit 1908 në Kosovë nisi një revolt kundër politikës fiskale të qeverisë dhe kundër depërtimit ekonomik të Austro-Hungarisë në trojet shqiptare. Përfaqësues të viseve të Kosovës filluan të mblidhen në Ferizaj. Tubimi i Ferizajt u shëndrruanë një kuvend masiv. Përfaqësues të komitetit xhonturk nga Shkupi shpejtuan të ndikonin dhe të mbizotronin politikisht pjestarët e kuvendit. Programi i tyre për ruajtjen e tërëisë toksore të Perandorisë dhe për të mos lejuar ndërhyrjen e huaj, si dhe shpallja e kushtetutës e mbledhja e parlamentit nuk përputheshin plotësisht me programin kombëtar të shqiptarëve. Atdhetarët shqiptarë, ndërmjet të cilëve u shquan Nexhip Draga dhe Bajram Curri, u përpoqën t’i drejtonin masat e revoltuara drejt kërkesës për realizimin e autonomisë së Shqipërisë. Debatet në Kuvendin e Ferizajit vijuan gjatë dhe qenë të ashpra. [7]
Në ditët e para të muajt korrik të 1908 filluan të dalin në mal çeta të armatosura, duke nisur me çetën e Resnjës të komanduar nga oficeri shqiptar Ahmet Njazi Resnja[8]. Ushtarët dhe oficerët e reparteve ushtarake osmane në Ballkan filluan të simpatizonin masivisht kryengritjen kundërqeveriare. Gjendja ishte acaruar mjaft. Pallati i sulltanit dhe Porta e Lartë ishin të pafuqishëm t’i bënin ballë gjendjes. Më 20 korrik[9] përfaqësues të 20 mijë shqiptarëve të armatosur i dërguan një telegram sulltanit, me anën e të cilit, në emër të popullsisë së Kosovës, kërkohej në mënyrë ultimative shpallja e kushtetutës dhe mbledhja e parlamentit. Vendosja e regjimit kushtetues u quajt si mjet për përballimin e arbitrariteteve të administratës sulltanore dhe të ndërhyrjes së huaj. Bazuar në premtimet e turqve të rinj, një masë e tillë u konsiderua, gjithashtu, dhe si hap drejt plotësimit të kërkesave kombëtare të shqiptarëve. Sulltan Abdylhamiti II më 23 korrik 1908 u detyrua të shpallë Kushtetutën, e cila njëherit shënoi edhe fitoren e revolucionit xhonturq.[10] Populli shqiptar e priti me gëzim dhe shpresë shpalljen e kushtetutës ose Hyrjetit (Lirisë) siç u quajt atëherë. Edhe ai shpresoi se do t’i siguroheshin, sipas premtimeve, liritë politike dhe barazia para ligjit. Megjithatë, rrethet atdhetare largëpamëse e kuptuan shpejt ndryshimin ndërmjet asaj çka ishte arritur me revolucionin xhonturk dhe detyrave që qëndronin përpara Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (LKSH). Programi i saj ishte i ndryshëm, madje i kundërt me atë të turqve të rinj. Këta synonin ta forconin Perandorinë Osmane, duke përqëndruar më tej pushtetin qendror dhe, duke e ruajtur sundimin mbi popujt e shtypur prej saj. Por, në fillim, për sa kohë nuk e kishin forcuar ende pushtetin e tyre, turqit e rinj bënë disa lëshime dhe përkohësisht u njohën disa të drejta kombeve të shypura[11].
Atdhetarët shqiptarë pa hequr dorë nga synimet e tyre madhore politike, shfrytëzuan me shkathtësi liritë e kushtetutës. Ata punuan me ngulm për përhapjen e arsimit e të kulturës kombëtare dhe për bashkimin e popullit. Për këtë qëllim atdhetarët menjëherë pas revolucionit filluan të krijonin klube kombëtare, të hapnin shkolla kombëtare dhe të botonin gazeta e libra shqipe edhe brenda atdheut. Për një kohë të shkurtër u ngritën dhjetëra klube dhe shkolla shqipe në të katër anët në të katër Vilajetet shqiptare ( të Janinës, të Shkodrës, të Kosovës dhe të Manastirit)[12]. Zhvillimi i shpejtë i lëvizjes kulturore, zgjerimi i shkollave dhe i botimeve në gjuhën shqipe shtruan si nevojë të ngutshme caktimin e një alfabeti të vetëm për shkrimin e shqipes, në vend të disa alfabeteve që ishin në përdori. Për të zgjedhur këtë çështje dhe problem të tjera të LKSH-së, me nismën e klubit kombëtar “Bashkimi” u mbajt Kongresi i Mnastirit 14-22 nëntor 1908, i njohur në histori, si Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe[13].
Në Kongres morën pjesë rreth 50 delegatë nga qytete të ndryshme dhe nga klubet e shoqëri brenda dhe jashtë vendit. Vendin kryesor e zuri çështja e alfabetit. Pas shumë diskutimesh, me gjithë dëshirën dhe synimin,për të cilin ishin mbledhur, duhet pranuar që nuk arriti të caktoj një alfabet i vetëm, por u miratuan dy alfabete: ai i Stambollit dhe një alfabet i përbërë vetëm nga shkronja latine. Meqënëse ky i fundit ishte më i lehtë për t’u përvetësuar dhe më praktik për tu botuar libra edhe në vende të huaja, pa kaluar shumë kohë u bë alfabeti i vetëm i gjuhës shqipe[14]. Kongresi i Manastirit nuk ishte thjesht një mbledhje gjuhëtarësh por një kongres kombëtar ku u shtruan dhe kërkesa me karakter ekonomik e politik në një program me 18 pika. Aty u vendos që për të gjitha klubet shqiptare të caktohej si klub qendror ai i “Bashkimit” të Manastirit. Kongresi i Manastirit i dha një shtytje të re Lëvizjes arsimore dhe kulturore në vend. U shtua numri i klubeve dhe i shkollave shqipe, u botuan gazeta e libra të reja. Këto përparime e shqetësuan reakcionin xhonturk, i cili përdori mjete të ndryshme për të penguar zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare dhe për të nxitur përçarjen fetare ndërmjet shqiptarëve. Xhonturqit bënin një propagandë të madhe që gjuha shqipe të shkruhej me alfabet turko-arab[15].
Ndërkohë, me nismën e Komitetit xhonturk të Stambollit, më 23 korrik 1909 u mblodh një Kongres, në Dibër me të cilin u ftuan të mirrnin pjesë përfaqësues nga e gjithë Turqia evropiane dhe jo vetëm nga Shqipëria. Në kushtet kur ekspedita e parë ushtarake e Xhavit Pashës nuk jepte rezultatet e pritura për qetësimin e Shqipërisë me forcën e armëve, krerët e turqve të rinj menduan se me mjete të tilla ”paqësore” si ky tubimnë Dibër, do mund të arrinin atë çka nuk mund ta siguronin me hekur e me zjarr.[16] Me gjithë kujdesin që treguan, organizatorët xhonturq nuk arritën të ndalonin që kongresi të merrte karakterin e një kongresi të mirëfilltë shqiptar, si nga ecuria e punimeve të tij, ashtu edhe nga vendimet që u morën në të. Atdhetarë, si Dervish Hima, Abdyl Ypi, Hafzi Ali Korça, etj., e bënë kongrein e Dibrës arenë të shpalosjes së kërkesave kombëtare. Atdhetarët më të spikatur shqiptarë të Lëvizjes Kombëare Shqiptare duke parë rrezikun që i vinte kësaj Lëvizje nga reakcioni xhonturk, të cilët pasi u forcuan pushtetin ndërmorrën masa represive ndërmorën masa adekuate, në fillim të vitit 1910 i filluan përgatitjet për organizimin e një kongresi shqiptar.[17] Ky ishte edhe një nga vendimet e Kongresit të Parë (14-22 Nëntor 1908) në Manastir, ku theksohej që pas dy viteve të mbahet një kongres tjetër për alfabetin e gjuhës shqipe. Në gjendjen e acaruar të marrëdhënieve shqiptaro-turke, kur konflikti me xhonturqit për çështjen e kulturës shqiptare kishte arritur kulmin e tij, atdhetarëve shqiptarë mblodhën një kuvend tjetër mbarëkombëtar, Kongresin e Dytë të Manastirit, jo më pak i rëndësishëm se i pari. Ky tubim u thirr përsëri me nismën e Klubit “Bashkimi” të Manastirit, i cili i zhvilloi punimet më 2-3 prill 1910[18], në sallën e Klubit “Dituria”, në një gjendje tepër të nderë, kur konflikti i shqiptarëve me xhonturqit, për shkak të alfabetit të gjuhës shqipe, kishte arritur pikën e tij kulmore, kur në të gjithë vendin ishte përhapur një lëvizje popullore kundër përpjekjeve të xhonturqve për t’u impunuar shqiptarëve alfabetin turko-arab.
Në Kongres morën pjesë 21 delegatë,që përfaqësonin 34 klube e shoqëri të Vilajeteve të Shkodrës, të Janinës, të Kosovës e të Manastirit, si dhe klubet shqiptare të Selanikut, të Stambollit e të qendrave të tjera, si: Dervish Hima, Fehmi bej Zavalani, Petro Nini Luarasi, Ferit Ypi, Bedri Pejani, Gjergj Qirijazi, Themistokli Gërmenji, Rexhep Mitrovica, Avdulla Gojdrinasi – Struga, etj.[19] Sikur dëshmon “Zëdhënia” që Klubi “Bashkimi” i Manastirit shpërndaume këtë rast, qëllimi i këtij Kongresi ishte të diskutonte çështjet që kishin të bënin me mbrojtjen e shkollës, të shkrimit e të cultures kombëtare si dhe kundër reakcionit e politikës asimiluese xhonturke. Kongresi i Dytë i Manastirit do të merrte masa të mëtejme për zgjerimin e rrjetit të shkollave shqipe dhe për zhvillimin e kulturës shqiptarë në tërësi.
Kongresi i Dytë i Manastirit ishte një manifestim politik e kombëtar shqiptar. Si në fjalimet e delegatëve, ashtu edhe në vendimet e kongresit u shpreh protesta kundër përpjekjeve që po u bësheshin shkollës e alfabetit shqip nga Komiteti Qendror “Bashkim e Përparimi” dhe nga Porta e Lartë. Kongresi tërhoqi vëmendjen e gjithë atdhetarëve shqiptarë për rrezikun e shkombëtarizimit dhe të aneksimit të teritoreve të Shqipërisë nga shtetet fqinje, Serbia, Bullgaria e Greqia. Serbia u tha në Kongresin e Dytë të Manastirit, duke ndjekur një politik shoveniste, synonte të pushtojë Kosovën dhe viset e tjera të trevave lindore shqiptare, të cilat i pagëzoi me emrin ”Stara Serbia”, ndërsa qarqet politike duke përdorur klerikët orthodoksë konservatorë e progrekë, shkollat e mësuesit grekomanë, me të gjitha mjetet tentuan të asimilojnë shqiptarët e krishterë dhe të aneksojnë teritoret e Shqipërisë së Jugut.[20]
Në Kongresin e Dytë të Manastirit, ashtu si në ato të mëhershmit, në një konspiracion të plotë umbajtën edhe mbledhje të fshehta në të cilat u diskutuan çështje të tilla politike, siç ishin: forcimi i komiteteve të fshehta dhe masat që duhehin marrë për përgatitijen e një Kryengritje të përgjithshme e cila do të bëhet realitet ë vitin 1912. Pra, Kongresi i Dytë i Manastirit përbën një nga momentet kulmuese të kthesës në historinë e Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare, ku mbarë populli shqiptar u hodh në rrugën e guximshme të Luftës së armëve e të mendimit për të flakur tej zgjedhën e huaj, si dhe për të siguruar të drejtat themelore për liri e tokë, drejtësi e përparim. Ajo përbën një nga ato ngarje që shtojnë krenarinë kombëtare, sepse edhe në këtë kuvend burrat e zgjedhur u përpoqën për të ngritur në një shkallë më të lartë Lëvizjen Kombëtare ku në mes tjerash u trasua edhe shpallja e pavarsisë, që nuk vonoi më 28 nëntor 1912[21].
Pa kaluar shumë kohë nga ardhja e tyre në pushtet, xhonturqit hoqën dorë nga premtimet e lëshimet e para dhe iu kundërvuanë gjithnjë e më shumë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Duke përdorur mjete të ndryshme propagandistike e policore gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare, ata siguruan shumicën në parlament[22]. Megjithatë, nga 26 deputetët, që u zgjodhën në Shqipëri, një pjesë e mirë e tyre ishin kundërshtarë të xhonturqve. Ndërmjet tyre ishin atdhetarët e njohur si: Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Ismail Qemali, Shahin Kolonja e të tjerë. Pasi forcuan pozitat politike, xhonturqit kaluan në veprime të hapura reakcionare duke penguar e goditur klubet, shkollat kobëtare dhe atdhetarët shqiptarë. Pakënaqësia e popullit shqiptar u shtua edhe më tepër nga taksat dhe nga shërbimi ushtarak i detyruar, të cilit tani i nënshtroheshin edhe krahinat malore, që kishin ruajtur venomet e vjetra.
Pas shtypjes së kundërrevolucionit, të organizuar nga forcat sulltaniste, xhonturqit duke e ndier vetëm më të sigurt, e thelluan më tej politiën e tyre reakcionare kundërshqiptare. Për të mposhtur qëndresën shqiptare, sidomos në Vilajetin e Manastirit dhe të Kosovës, ku ajo ishte më e fuqishme, dhe për çarmatimin e popullsisë, qeveria xhonturke organizoi një ekspeditë ushtarake ndëshkimore nën komandën e Xhavit pashës. Gjatë marshimit të tyre, forcat osmane shkatërruan dhe dogjën fshatra të tëra. Terrori nxiti qëndresën e vendosur të malësorëve.[23] Pas dështimit të plotë në Kongresin e Dibrës xhonturqit iu drejtuan sërisht përdorimit të armëve për të nënshtruar shqiptarët. Xhevit pasha ndërmori një ekspeditë të re ushtarake. Kështu, në fillim të shtatorit 1909, ai u nis nga Prizreni për në Lumë, ku u zhvilluan beteja të ashpra. Me gjithë terrorin që përdori, duke djegur dhe shkatërruar fshatra, Xhevit pasha nuk ia arriti qëllimit. Pas një muaj ai u detyrua t’i tërhiqte përsëri forcat e tij në Prizren.
Mosmbajtja e premtimeve nga xhonturqit, masat e ashpra të administrates osmane dhe ekspeditat ushtarake të Xhavit pashës, që shtypen me epërsi lëvizjet e shqiptarëve të Kosovës kundër taksave dhe shërbimit ushtarak në pranverë dhe në vjeshtë të vitit 1909, i acaruan së tepërmi marrëdhëniet e shqiptarëve me pushtetarët e rinjë të Perandorsë. Rrethet atdhetare dhe komitetet e fshehta i shtuan përpjekjet kundër regjimit xhonturk me kryengritjet e viteve 1910-1911[24].
Në fillim të vitit 1912, një grup deputetësh shqiptarë të kryesuar nga Ismail Qemali organizuan në Stamboll në Lagjen Taksin një mbledhje, në të cilën u morën masa konkrete për organizmimin e luftës së armatosur. Më 18 janar 1912 xhonturqit shpërndanë parlamentin, për shkak të opozitës së fortë që ishte krijuar me të. Gjatë fushatës për zgjedhje të reja, ata përdorën mjete të ndryshme dhe arritën të fitonin. Në parlamentin e ri nuk u zgjodh asnjë nga ish-deputetët të opozitës, si Hasan Prishtina, Ismail Qemali, etj. Masat represive të xhonturqve dhe rezultatet e zgjedhjeve parlamentare e acaruar edhe më tej gjendjen në Shqipëri. Me gjithë përpjekjet e bëra, nuk u arrit të sigurohej ndonjë aleat i jashtë. Përleshjet e armatosura me sundimtarët osmanë filluan në Malësinë e Gjakovës që në mesin e muajit prill. Në fillim të muajt maj, veprimet luftarake të kryengritësve u shtrinë në Pejë, në Zadrinë, Mirditë, në Lumë, Dibër, etj[25]. Përhapja e kryengritjes bëri të nevojshme bashkërendimin e forcave dhe krijimin e një qendre drejtuese. Për këtë qëllim, me nismën e Hasan Prishtinës, më 21 maj 1912, u mblodh në Junik të Gjakovës një kuvend i posaçëm. Në të morën pjesë, kryesisht përfaqësues të Kosovës disa përfaqësues të Shkodrës e të Dibrës dhe ndonjë përfaqësues nga Jugu. Përball synimeve shoveniste të shteteve të huaja, kërkesat e tjera mendoheshin të rrezikshme për ardhmërinë e Shqipërisë. Në kundërshtimme këtë qëndrim, atdhetarët e kryesuar nga Hasan Prishtina vazhdonin të ishin të mendimit se sigurimi i autonomisë së Shqipërisë iste rruga më e mirë jo vetëm për sigurimin e të drejtave kombëtare, por edhe për përballimin e rrezikut të coptimit të trojeve shqiptare. Pas shumë debatesh u lidh besa për fillimin e kryengritjes së përgjithshme. Pas kundërshimesh jo të pakta, në themel të programit kryengritjes u vu kërkesa për autonominë e Shqipërisë.[26]
Kuvendi i Junikut me programin e tij kombëtar, ndikoi në zgjerimin e kryengritjes në viset e tjera dhe shtimin e radhëve të saj me mijëra luftëtar të rinj. E ndodhur përballë një kryengritjeje shqiptare më të fuqishme dhe më të organizuar, qeveria xhonturke mori menjëherë masa dhe dërgoi në Kosovë forca të mëdha ushtarake, nën drejtiin e Fadil pashës. Në fund të majit dhe gjatë qershorit 1912, kryengritësit të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi, I. Spahiu, e të tjerë, zhvilluan veprime luftarake në të gjithë Kosovën e deri në Lumë e Tetovë. Operacioni i drejtuar nga Fadil pasha dështoi, ndërsa ngjarjet e Shqipërisë e detyruan qeverinë xhonturke të jepte dorëheqje më 17 korrik 1912.[27] Pas rënjes së qeverisë xhonturke erdhën në fuqi kundërshtarët e tyre politike, itilafistët. Qeveria e re e formuar më 22 korrik, e kryesuar nga Ahmet Muftar Pasha, ndërpreu veprimet ushtarake në Shqipëri. Ajo vendosi të hynte në bisedime me kryengritësit. Për këtë qëllim në Kosovë u dërgua një komision qeveritar i kryesuar nga marëshali Ibrahim pasha. Në bisedimet që filluan në Prishtinë më 2 gusht, u përfaqësua vetëm Kosova. Përfaqësuesit e krahinave të tjera, për arsye kohe dhe largësue, si dhe për mungesë organizimi, nuk mundën të arrinin. Në këto bisedime, krahas atdhetarëve të vendosur, të kryesuar nga Hasan Prishtina, merrnin pjesë edhe elementet të moderuar.[28]
Hasan Prishtina parashtroi kërkesat kryesore për autonomi. Por, elementët itilafiste, pas rrëzimit të qeverisë xhonturke, u kënaqën vetëm më kërkesën për shpërndarjen e parlamentit. Komisioni qeveritar nuk e pranoi kërkesat për autonomi. Atëherë, mijëra kryengritës me në krye Hasan Prishtinën, Bajram Currin, e të cilët i ndërprenë bisedimet, shkruan në qytetin e çliruar të Ferizajt. Pas shpërndarje së parlamentit krerët itilafistë me forcat e tyre u larguan nga kryengritja. Ndërkohë, komitetet kombëtare të Shqipërisë së Jugut i dhanë Hasan Prishtinës të drejtën e përfaqësimit të tyre. Në këto rrethana, Hasan Prishtina paraqiti në emër të shqiptarëve një memorandum me 14 pika të cilat përfshihej: emërimi në Shqipëri i nënpunësve vendas, mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shollat e Shqipërisë, zhvillimi i bujqësisë dhe tregëtisë, falja e përgjithshme për pjesëmarrësit në kryengritje etj. Ndonëse, nuk kërkohej drejtpërdrejt autonomia, realizimi i këtyre kërkesave çonte në krijimin e themeleve të Shqipërisë autonome. Qeveria nuk dha përgjigje, prandaj kryengritësit kosovarë marshuan drejt Shkupit. Çlirimi i qendrës së Vilajetit të Kosovës, përbënte një fitore të madhe dhe pati jehonë brenda dhe jashtë vendit. Veprime luftarake vazhduan edhe në krahina të tjera.
E ndodhur përballë rrezikut të zgjerimit të mëtejshëm të kryengritjes shqiptare, qeveria e Stambollit më 18 gusht 1912 shpalli se i pranonte kërkesat e parashtruara nga Hasan Prishtina, por me disa ndryshime, nga 14 pika, u njohën 12. Ndonëse nuk u plotësuan të gjitha kërkesat e shqiptarëve, Hasan Prishtina, në emër të Kryengritjes së përgjithshme, e pranoi marrëveshjen me qeverinë. Në këtë drejtim ndikoi raporti i forcave në gjirin e kryengritjes, e sidomos në mënyrë të veçantë ndikoi përkeqësimi i gjendjes së jashtme politike[29]. Megjithëse kryengritja e përgjithshme përfundoi pa i arritur plotësisht objektivat e caktuara, ajo pregatiti truallin për shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë dhe përshpetoji fundin e sundimit Osman në Ballkan. Veprimet ushtarake në frontin turko – malazezë dhe hyrja e afërt e fuqive ballkanike në Luftën e Parë Ballkanike, u dhanë të kuptonin shqiptarëve se Turqia do të humbiste Luftën. Ishte e nevojshme që brenda në Shqipëri të ndërmerrej një veprim politik, që në përshtatje me kushtete reja, të përcaktohej qëndrimi ndaj konfliktit ballkanik e të merreshin masat e nevojshme për shpëtimin e atdheut[30].
Brenda në Shqipëri nismën për një veprim politik, që ta nxirrte vendin nga gjendja e vështirë dhe e ndërlikuar, e krijuar nga Lufta e Parë Ballkanike e mori Shoqëria atdhetare, Komiteti “Shpëtimi” dhe “Shoqëria e Zezë për Shpëtim” e krijuar në Shkup, që veproi gjatë kryengritjeve të viteve 1910-1912, e sidomos gjatë Kryengritjes së Përgjithshme kundërosmane të vitit 1912, dhe Luftrave Ballkanike.[31] Nën drejtimin dhe me nismën e udhëheqësve të tij: Nexhip Draga, Sali Gjuka, Bedri Pejani, M. Frashëri, etj., dhe me miratimin edhe të udhëheqësve të tjerë të Lëvizjes Kombëtare, si: Hasan Prishtina e Bajram Curri, etj., ky komitet dhe Shoqëria e Zezë për Shpëtim organizuan në Shkup më 14 tetor 1912 një mbledhje, në të cilën përcaktoi qëndrimin e shqiptarëve ndaj Luftës Ballkanike dhe për zgjidhjen e çështjes së tyre kombëtare.[32] Të bindur se tanimë Perandoria Osmane e kishte humbur përfundimisht luftën dhe se ishte në shpartallim e sipër, pjesëmarrësit e mbledhjes së Komitetit “Shpëtimi” e të Shoqërisë së Zezë për Shpëtim”, në Shkup, në proklamatën që miratuan më 16 tetor 1912 ua dërguan përfaqësuesve konsullore të Fuqive të Mëdha në Shkup, në të cilën thuhet se “në këto rrethana Shqiptarët po i rrokin armët dhe po u rrezistojnë agresorëve ballkanas e jo për të forcuar sundimin e Turqisë në Ballkan, por, për t’i dalë zot tërësisë toksore dhe lirisë së Shqipërisë. Përballë rrezikut të coptimit të trojeve shqiptare, theksonin ata, shqiptarët nuk do të pranonin për të katër Vilajetet, veçse një formë qeverisjeje të vetme, me të cilën nënkuptonin bashkimin e territoreve shqiptare në një njësi të veçantë e të vetëqeverisur shtetëror. Kjo kërkesë i hapte rrugën zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare. Mbledhja e Shkupit caktoi një delegacion, i cili u dërgua në krahinat e tjera të Shqipërisë për organizimin e një kuvendi kombëtar që do të vendoste për të ardhmen e vendit.[33]
Delegacionet e “Shoqërisë së Zezë për Shpëtim” zbritën në Shqipërinë e Mesme, si dhe në Ohër, Strugë, Dibër, Manastir për të kryer detyrën e ngarkuar edhe në këto krahina.[34]
Lajmi i mbledhjes së 14 tetorit 1912 në Shkup, u prit me entuziazëm në tërë trevat shqiptare e cila kishte gjetur një truall të përgaditur qysh më parë nga rrethet patriotike brenda vendit. Delegacioni i Shoqërisë së Zezë për Shpëtim kishte vendosur lidhje me atdhetarët e Tiranës, Durrësit dhe të Dibrës. Mendime për të mbajtur kuvendi kombëtar kishin dalur edhe viset të tjera shqiptare, madje në disa krahina kishin filluar të zgjidhnin edhe delegatët.[35]
Ishte meritë e veçantë e rilindasve, të grumbulluar rreth Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, etj., që në ditët më të vështira të kombit shqiptar gjatë pothuajse pesqind vjetë të robërisë osmane, vepruan me mençuri e guxim, dhe duke pasur përkrahjen e forcave atdhetare të popullit pregatitën e mblodhën më 28 nëntor 1912 Kuvendin Kombëtar në Vlorë, që shpalli Pavarsinë e Shqipërisë dhe valvitën Flamurin Kombëtar[36]. Më 4 dhjetor 1912, kur u zgjodh Qeveria e Përkohëshme si dhe në 2-3 ditët që pasuan, midis 63 delegatëve, shtatë (7) ishin nga Çamëria, ndërsa gjashtëmbëdhjetë (16) ishin nga trevat lindore e verilindore shqiptare (Maqedonia Perëndimore e Kosova), si: Peja, Mitrovica, Shkupi, Tetova, Dibra, Ohri e Struga. Pra, edhe në Kuvendin Kombëtar të Vlorës nuk munguan burrat e pendës e të pushkës nga trevat lindore. Ndonëse Sali Gjuka, Bedri Pejani, Mit’hat Frashëri, Isa Boletini, Hajdin Draga e Rexhep Mitrovica ishin përfaqësues të denjë të Kosovës, edhe trojet e tjera lindore shqiptare për këtë ngjarje kombëtare zgjodhën burra të vendosur të cilët do të shkonin në Vlorë në ngritjen e flamurit kombëtar dhe Shpalljën e Pavarsisë.[37] Ato burra që shkuan drejtë Vlorës ishin: Myfti Vehbi Dibra e Sherif Lëngu nga Dibra, Sali Gjuka e Hajdin Draga nga SHkupi; Mehmet Pashë Deralla (Tetovë); Zuhdi bej Ohri, Dr. Ali Murteza Struga, Nuri Sojliu, Hamdi bej Ohri, Mustafa Baroti, Xhemal beu ( i biri i Avdulla Sojliu e nip i Dr. Ibrahim Temos), Ymer Beu, Ibrahim Efendiu[38], si dhe Dervish Hima ( i cili megjithëse ishte caktuar delegate për në Vlorë, për arsye objektive nuk arriti të marrë pjesë në Kuvend), përfaqësonin Ohrin, Strugën dhe Manastirin.
Në Qeverinë e Përkohëshme të kryesuar nga Ismail Qemali, përveç Isa Boletinit – i cili ndonëse nuk kishte ndonjë post shtetëror, ishte njëri nga bashkëpuntorët më të ngushtë të Plakut të Vlorës, bënin pjesë edhe personalitete të tjera nga trevat lindore e verilindore, si: Vehbi Dibra (Agolli) – në cilësinë e kryetarit të Pleqësisë, Mehmet Pash Deralla – Ministër i Mbrojtjes dhe më pas Hasan Prishtina – Ministër i Bujqësisë. Në Pleqërinë e Kuvendit të Shqipërisë – përveç Myfti Vehbi Dibrës nga trevat Lindore u zgjodhën edhe Bedri Pejani, Sali Gjuka, Hajdin Draga e Hamdi bej Ohri.[39] Që në fillim Qeveria e Ismali Qemalit kërkoi nga Fuqitë e Mëdha, Porta e Lartë dhe vendet ballkanike njohjen e shtetit dhe të qeverisë shqiptare. Ajo shpalli qëndrimin e saj neutral në Luftën e Parë Ballkanike dhe kërkoi largimin e trupave pushtuese.[40] Për të shyrtuar situatën e krijuar në Luftën e Parë Ballkanike, (1912-1913), thirren Konferencën e Ambasadorëve në Londër (17 dhjetor 1912-29 korrik 1913), e cila ishte organ I gjashtë Fuqive të Mëdha të Kohës: Anglisë, Austro-Hungarisë, Rusisë, Italisë, Gjermanisë e Francës, pra, Konferenca e Ambasadorëve u krijua për të shqyrtuar problemet që dolën pas humbjes së Turqisë në luftën me aleatët e Ballkanit. Fuqit e Mëdha aty u përfaqësuan nëpërmjet ambasadorëve të akredituar në kryeqytetin britanik të kryesuar nga ministri i Punëve të Jashtme të Anglis Eduard Grej. Në qendër të vëmendjes së saj Konferenca e Ambasadorëve pati çësthjen shqiptare. Në mbledhjen e saj të parë Konferenca e Ambasadorëve vendosi që Shqipëria të shpallet shtet “autonomi” nën sovranitetin e sulltanit. Por, me vendimin përfundimtar të 29 korrikut 1913, [41]Shqipëria u njoh si “principatë sovrane”, duke përjashtuar çdo lidhje varësie nga Perandoria Osmane. Përsa u përket kufijve Konferenca e Ambasadorëve kreu një padrejtësi të madhe në dëm të kombit shqiptar. Fuqitë pjesëmarrëse nuk përfillen të drejtat dhe interest themelore të Shtetit të ri shqiptar. Brenda kufive të tij u përfshinë vetëm gjysma e tokave shqiptare, një sipërfaqe prej 28 mijë km² dhe më pak se gjysma e popullsisë me kombësi shqiptare. Më tepër se gjysma e shqiptarëve mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Pjesa më e madhe kaluan nën Serbinë, e pjesa tjetër nën Greqinë dhe Malin e Zi.[42]
Që nga viti 1912 e deri në Luftën e Parë Botërore në trojet etnike shqiptare jashtë kufijve shtetëror, pra, në trevat lindore e verilindore, u vendos regjimi ushtarako – policor. Në to mbretëroi një gjendje lufte, shtetërrrethimi dhe politika e gjenocidit dhe shkombëtarizimit të shqiptarëve. Format që u përdorën, ishin të shumta, që nga çarmatimi, ndërrimi me dhunë i fesë muslimane në atë orthodokse, poshtërimi i simboleve kombëtare, shpronësimi i pasurive dhe shpërngulja me forcë. Kjo veprimtari u shoqërua me masakra në masë, plaçkitje dhe djegie të shtëpive e të fshatrave të tëra. Kudo pati një qëndresë në rritje të popullsisë shqiptare. U krijuan çeta të armatosura gati në të gjitha trojet lindore e verilindore shqiptare, veprimtaria e të cilave u shtua dukshëm në vitin 1913, në të cilat u shquan udhëheqësit atdhetarë si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Elez Jusufi, Isa Boletini, etj.[43] Kryengritja e parë antiserbe me përmasa të gjëra që popullsia e trevave lindore e verilindore shqiptare ishte Kryengritja e Shtatorit 1913. Kryengritja shqiptare shpërthen në viset e aneksuara nga Serbia, për t’u çliruar nga zgjedha serbo – malazeze dhe për t’u bashkuar me shtetin e pavarur shqiptar. Edhe kjo Kryengritje u shkaktua nga pasojat politike dhe ekonomike të coptimit të Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1913, si dhe nga politika e dhunës, e shfarosjes dhe shpërnguljes së popullsisë shqiptare, që Serbia dhe Mali i Zi zbatuan në territoret e aneksuara të Kosovës dhe në viset Lindore e Veriore të Shqipërisë.[44]
Kryengritja filloi me sulmin në front të gjërë nga Dibra e Ohri deri në Prizren e në Gjakovë. Më 20 shtator 1913 u hodh në kryengritje forcat e armatosura të popullsisë së Dibrës së Poshtme (Peshkopisë), midis të cilave kishte edhe mjaft Dibranë e Kosovarë të shpërngulur, të drejtuar nga Elez Isufi, që më 22 shtator çliruan Peshkopinë dhe një ditë më vonë çliruan Dibrën e Madhe. Pas Dibrës u çlirua Struga, Ohri dhe Gostivari, prej nga trupat serbe u detyruan të tërhiqen drejt Tetovës. Kryengritja u shtri deri në afërsi të Shkupit dhe në viset e tjera të Kosovës, në krahinën e Drenicës, në rrethin e Mitrovicës, madje edhe në krahinat veriore të Hotit, Tuzit, Grudës dhe të Gucisë. Gjatë këtyre luftimeve pati disa qindar të vrarë nga të dyja palët. Në udhëheqje të kryengritjes u vu një komision i posaçëm që mbante emrin Qeveria e Përkohshme e Dibrës, e drejtuar nga Sefedin Pustina. Gjithë dokumentacioni i kësaj qeverie përshkohet nga kërkesa e bashkimit të këtyre viseve me Shqipërinë. Në thirrjen drejtuar “Fuqive të Mëdha”, më 15 tetor 1913, Qeveria Provizore e Dibrës kërkoi nga Evropa që “t’u jepte shqiptarëve të drejtën të rronin të lirë në atdheun e tyre të njëshëm”.[45] Qeveria e Përkohshme e Vlorës, ndonëse e përkrahu Kryengritjen e Shtatorit dhe solidarizua më kërkesat e saj, që u detyruar të mbante qëndrim të rezervuar dhe të mos angazhohej zyrtarisht në kryengritje. Megjithëse, ajo bëri hapa diplomatike” pranë Fuqive të Mëdha për të përkrahur krynegritësit dhe popullsinë shqiptare të trevave lindore të pushtuara, kërkoi prej tyre të ndërhynin sa më parë për të mënjanuar gjakderdhjen dhe për ta detyruar Serbinë t’i jepte fund politikës shfarosëse së Shqiptarëve. E shqetësuar nga përmasat e kryengritjes shqiptare, qeveria serbe përqëndroi për shtypjen e kryengritjes 40 mijë forca ushtarake, të cilat në fillim të tetorit, ndërmorrën mësymjen kundër kryengritësve në zonën e Ohrit, (Beteja e Petrinjës), të Dibrës, Strugës, Pogradecit, Peshkopisë e Lumës, e rrethinat e Prizrenit dhe Gjakovës. Pas luftimeve të ashpra që zgjatën 12 ditë, kryengritësit u detyruan të tërhiqen dhe të linin në duart e ushtrisë serbe zonat e çliruara.
Shtypja e Kryengritjes së Shtatorit 1913 u shoqërua me masakra e krime të papara që ushtria serbe kreu në qytetet e fshatrat shqiptare. Terrori i egër u ushtrua mbi vendbanimet shqiptare në trevat e Ohrit, Përlepit, Poreçës, Krushevës, Kërçovës, Gostivarit, Dibrës, Strugës, etj.[46] Në hapsirën midis Gostivarit dhe Ohrit u dogjën rreth 180 fshatra, 30 prej tyre u rrënuan që nga themelet. Popullsia e këtyre krahinave u shpërngul në masë dhe u vendos në qytete e fshatra të Shqipërisë së Mesme. Kryengritja e Shtatorit i dha rast qeverisë së Beogradit të gjente një pretekst jo vetëm për të mbajtur tokat që kishte pushtuar dhe për të bërë reprezalje mbi popullsinë e tyre shqiptare, por edhe për të shtrirë më tej territorin e pushtuar në gjithë Shqipërinë e Veriut duke iu drejtuar brigjeve të Adriatikut. Vetëm pas ultimatumit të 17 tetorit 1913,[47] që Austro – Hungaria, Gjermania, Italia dhe Rusia i paraqitën Beogradit, më 25 tetor Serbia u detyrua të tërhiqej nga zonat e pushtuara Brenda kufinjve të shtetit shqiptar të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në 1913.
[1] Kristaq Prifti, “Lidhja e Pejës”, Tiranë, 1983; “Historia e Popullit shqiptar”, Vëllimi II, Tiranë, 2002, fq.273-286;
[2] Historia e Popullit shqiptar, Vëllimi II, Tiranë, 2002, faqe 315-316;
[3] Po aty, 315; Nebi Dervishi, Manastiri – Vatër e Rilindjes Kombëtare (shek. XIX – 1912)”, Shkup, 2018, fq, 32
[4] Shukri Rrahimi, “Vilajeti i Kosovës”, Prishtinë, 1969, f1. 89-93.
[5] Shukri Rrahimi, “Lufta e Shqiptarëve për autonomi (1897-1912)”, Prishtinë, 1978, fq. 124; Nebi Dervishi, Manastiri – vatër I Rilindjes Kombëtare…. Vepër e cituar, faqe 34-38;
[6] Historia e Popullit Shqiptar, Vëll. II, Tiranë, 2002, fq. ; Mizafer Bislimi, “Shqiptarët dhe Revolucioni xhonturk”, Shkup, 2008, fq. 26-27
[7] Zeqirija Cana, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908-1912, Tiranë, 1983;.
[8] Histroia e popullit shqiptar, Vëll. II, Tiranë, 2002, f. 371-375
[9] Ramiz Abdyli, “Lëvizja Kombëtare Shqiptare, (1908-1910)”, Vëll.I., Prishtinë, 2004, fq. 222-224
[10] Histroia e popullit shqiptar, Vëll. II, Tiranë, 2002, f. 377.
[11] Dr. Shukri Rrahimi, “Lufta e shqiptarëve për autonomi (1897-1912), Prishtinë 1978, fq. 139-144.
[12] Fehari Ramadani, “Kontributi i Austro – Hungarisë për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës shqiptare (1900-1912), Tetovë, 2010, fq. 111-162.
[13] Shaban Demiraj – Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit”, TIranë, 2008, faqe 55-67.
[14] Nebi Dervishi, “Manastiri – Vatër e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, (shek. XIX – 1912)”, Shkup, 2018.
[15] Po aty.
[16] Kristaq Prifti, “Dervish Hima”, Tiranë, 1993, faqe 234-236; Ali Vishko, “Kongreset e Alfabetit të gjuhës Shqipe”, Shkup, 1989, faqe 135.
[17] Historia e popullit shqiptar, Vëllimi II, Tiranë, 2002, fq. 423.
[18] Po aty, fq. 423.
[19] Nebi Dervishi, “Manastiri – Vatër e Rilindjes Kombëtare SHqiptare (shek. XIX-1912)”, Shkup, 2018, fq. 110-112.
[20] Po aty.
[21] Historia e Popullit Shqiptar, Vëll. II, Tiranë, 2002, fq. 419.
[22] Po aty.
[23] Po aty.
[24] Dr. Shukri Rrahimi, “Vilajeti i Kosovës”, Prishtinë, 1969, f. 101-107; Ramiz Abdyli, “Lëvizja Kombëtare Shqiptare” Vëllimi II, 1911-1912, fq. 31-138.
[25] Historia e Popullit Shqiptar, Vëll.II, Tiranë, 2002, fq. 461-462.
[26] Po aty, fq. 466-470.
[27] Po aty, Fq. 482; Dr. Shukri Rrahimi, “Lufta e shqiptarëve për autonomi (1897 – 1912)”, Prishtinë, 1978, fq. 193-211.
[28] Zeqiria Cana, “Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë (1908-1912)”, Prishtinë, 1979, fq. 88; Fejzulla Shabani, “Shqiptarët e Maqedonisë(1908 – 1913)”, Tetovë, 1996, f. 94-105.
[29] Po aty.
[30] Nebi Dervishi, “Manastiri – Vatër e Rilindjes Kombëtare Shqiptare (shek. XIX-1912), Shkup, 2018, fq. 121-133; Dr. Shukri Rrahimi, “Vilajeti i Kosovës”, Prishtinë, 1969, faqe 131.
[31] Nebi Dervishi, “Kontributi I Shoqërisë së Zezë për Shpëtim në Kryengritjet 1909-1912 dhe në shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, në gazetën “Lajm” (fejton), dt. 05-08 maj 2012, f. 18-19.
[32] Historia e pop. Shqiptar Vëllimi II, Tiranë, 2002, fq. 501-504.
[33] Nebi Dervishi, “Manastiri – vatër e Rilindjes Kombëtare shqiptare (shek. XIX-1912), Shkup, 2018, fq. 201.
[34] Stefanaq Pollo, “Në gjurmë të historisë shqiptare”, vëll. I., fq. 289, Tiranë, 1990.
[35] Nebi Dervishi, “Manastiri-vatër e Rilindjes – vepër e cituar.
[36] Nebi Dervishi, “Pjesmarrja e delegatëve të trevave lindore e verilindore në Shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë”, botuar në Revistën “Kërkime Historike”, nr. IV, Shkup, 2014; Bardhosh Gaçe “Ata që shpallën Pavarsinë”, Tiranë, 2002.
[37] “Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj (nëntor 1912 – 22 janar 1914)”,
[38] Dokumente, Tiranë, 1963. Po aty, Dok. Nr. 16, fq. 31-34.
[39] Historia e Popullit shqiptar, Vëllimi III, Tiranë, 2002.
[40] Arben Puto, “Pavarsia e Shqipërisë dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha (1912-1914), Tiranë, 1978.
[41] Nebi Dervishi, “Etnokultura e Fushëgropës së Ohrit”, Tetovë, 2005, faqe 220; Arben Puto, “Pavarsia e Shqipërisë dhe diplomacia e Fuqive të MËdha (1912-1914), Tiranë, 1978, fq. 17.
[42] Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëll. II, Tiranë, 2007, f. 1382-1383. Historia e popullit shqiptar, Vëll.III, Tiranë, 2002.
[43] Fejzulla Shabani, “Shqiptarët e Maqedonisë (1908-1913), Tetovë, 1996; “Kryengritja e Shtatorit dhe Lufta e Petrinjës 1913”, mbajtur në Strugë më 27-28 shtator 2013, me rastin e 100 Vjetorit.
[44] Po aty, Nebi Dervishi, “Referat në 100 Vjetorin e Kryengritjes së Shtatorit 1913, mbajtur në Akademinë Solemne në Strugë, 27 shtator 2013.
[45] Historia e Popullit shqiptar, Vëll. III, Tiranë, 2002, fq. 38; Fejzulla Shabani, “Shqiptarët e MAqedonisë (1908-1913(“, Tetovë, 1996, fq. 198.
[46] Shaban Braha, “Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare (1844-1990)”, Tiranë, 1991, fq. 183-210.
[47] Arben Puto, “Pavarisa e Shqipërisë dhe diplomacia e Fuqive të MËdha ) 1912-1914)”, Tiranë, 1978; Nebi Dervishi, “Etnokultura e Fushëgropës së Ohrit”, Tetovë, 2005, fq. 227-238.