ÇËSHTJA E SHKODRËS DHE AUSTRIA-HUNGARIA 1912-1913
Prof. Elena KOCAQI*
PËRMBLEDHJE
Ky punim synon që të trajtojë konfliktin midis Austro-Hungarisë dhe Malit te Zi për Shkodrën, që u zhvillua nga tetori i vitit 1912 deri në maj të vitit 1913. Shkodra me insistimin Austriak i takoi Shqipërisë politike por mbahej e rrethuar nga Mali i Zi që donte ta pushtonte dhe aneksonte me çdo kusht. Dorëzimi i saj në prill solli si pasojë edhe reagimin e ashpër austriak që në 2 maj mobilizoi ushtrinë për luftë dhe që ishte e vendosur t’i shkonte deri në fund. Kjo alarmoi të gjitha Fuqitë e Mëdha qe i bënë presion Malit te Zi të tërhiqej nga Shkodra për të shmangur kështu një luftë botërore. Në punim marrin përgjigje pyetjet si: Cilat ishin synimet aneksuese të Malit të Zi në 1912 dhe qëndrimi i Monarkisë së Danubit? Si u arrit kompromisi për Shkodrën midis Fuqive të Mëdha? Si dhe pse u dorëzua Shkodra dhe cili ishte roli i Austro-Hungarisë që ajo t’i kalonte Shqipërisë? Për të trajtuar këtë punim është shfrytëzuar arkivi i Austro-Hungarisë dhe dokumentet diplomatike të Fuqive të Mëdha. Punimi është trajtuar duke analizuar dhe sintetizuar faktet historike.
Fjalë kyçe: Rrethimi i Shkodrës, Austria-Hungaria, Mali i Zi, Fuqitë e Mëdha.
*Historiane, Profesor ne Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike, Departamenti i Administrimit Publike, Studiuese, Akademia Alternative Shkencore Rrënjët Tona, Tiranë
RRETHIMI I SHKODRËS DHE CAKTIMI I SAJ SHQIPËRISË, NGA FUQITË E MËDHA
Mali i Zi ishte vendi i parë ballkanik që i shpalli luftë Perandorisë Osmane dhe synimi kryesor i luftës, ishte marrja e Shkodrës dhe e Pejës. Më 11 tetor, Mali i Zi filloj mësymjen ushtarake në drejtim të Shkodrës dhe e mbajti atë të rrethuar deri në prill të 1913. Në projektin e paraqitur nga qeveria malazeze përfshihej, Shkodra, Durrësi si dhe do të krijohej një shtet i pavarur, i cili sipas modelit të Austro-Hungarisë, do të hynte në një union real me Malin e Zi.[1] Giesel, ambasadori i Monarkisë në Cetinë, i bëri të qartë mbretit që më 31 tetor 1912, se Shëngjini nuk do t’i takojë as Malit të Zi dhe as Serbisë, por do të hyjë në Shqipërinë autonome dhe se Shkodra do të hyjë në Shqipëri. Ndërsa mbreti ia ktheu se më parë Buna do të rrjedh gjak se sa të bëhet një gjë e tillë.[2] Për Berchtold ministrin e Jashtëm të Monarkisë, aneksimi definitiv i bregdetit prej Malit të Zi, apo Serbisë, nuk mund të pajtohet me planin për krijimin e një Shqipërie autonome.[3]
Shkodra, si kryeqendra e katolikëve shqiptarë, ishte prej shumë kohësh edhe kryeqendra e kultusprotektoratit austro-hungarez, për këtë arsye Monarkia e Danubit kërkonte që, ajo të ishte pjesë e shtetit shqiptar. Berchtold, mendonte se, Monarkia ka një interes madhor në Shkodër, dhe veç arsyeve të tjera ka detyrën e madhërisë së tij si mbrojtës i kishës katolike. Ne nuk mund të rrimë indiferent për fatin e Shkodrës. Mbajtja e Shkodrës për shtetin e ardhshëm autonom të Shqipërisë do të ishte shumë e rëndësishme.[4] Për Berchtoldin:
- Shkodra është qendra e protektoratit katolik në Shqipëri dhe ishte e rëndësishme që t‘i mbetej Shqipërisë.
- Për opinionin e ekspertëve, një Shqipëri viable* është e pamundur pa Shkodrën dhe rrethinat e saj.
- Nëse Shkodra nuk do të përfshihej në Shqipëri, Shqipëria do të humbte fiset shqiptare që lidhen me Shkodrën. Këto fise do të absorboheshin pa dëshirën e tyre nga Mali i Zi, që është etnikisht dhe fetarisht i ndryshëm nga Shqipëria.[5]
Në 17 nëntor, Berchtold i dha instruksione të dërguarit të Monarkisë në Cetinë se, çfarë kërkonte Austria në këmbim të Shkodrës. Koncesionet ishin, Qafat e Lovçenit dhe dobi ekonomike, si lidhje doganash, të drejtën e kabotazhi dhe të drejtën e lundrimit të anijeve austro-hungareze në Bunë dhe në liqenin e Shkodrës, si edhe zgjatimin e udhës së hekurit nëpër Mal të Zi deri në Shqipëri.[6] Por Gisel duke njohur pretendimet e Cetinës dhe politikën ballkanike dhe me mirë se Berchtold ishte i mendimit se, mbreti do të na e refuzojë kërkesën tonën, për të na dhënë Lovçenin, nga njëra anë për arsye traditash dhe, nga ana tjetër, se ka frikë se Rusia mund t’ia presë subvencionin.Unë do t’i thosha Mbretit vetëm kaq: ne protestojmë me energji kundër aneksimit të Shkodrës, e të bregut të detit nga Mali i Zi, natyrisht duke u mbështetur në autonominë e Shqipërisë dhe do ta lija atë, t’i nxjerrë vetë konkluzion për konsekuencat, domethënë le të zgjedhë ai vetë, njërën nga këto alternativa, ose ta lëshojë prapë Shkodrën, ose të përleshet me Austro-Hungarinë. Më vonë, dhe mandej aspak në audiencë, do t’i thosha si mendimin tim personal dhe sikur Shkëlqesia Juaj nuk dini asgjë për këtë punë, se ndofta mund t’ia lemë Shkodrën kundrejt një shpërblimi në qafat e Lovçenit dhe t’i shtoja se kjo punë, është vetëm propozimi im, të cilin nuk besoja se do ta pranonte qeveria ime. Në qoftë se Mbreti pranon në parim për të hyrë në tratativa, atëherë do t’ia kërkoja me shkrim këtë gjë, duke ia përcaktuar kërkesat tona ushtarake. Në mos ma dhëntë këtë shkresë, që ma merrë mendja se nuk e jep, atëherë skuqem (turpërohem) unë dhe qeveria jonë nuk merrë pluhur mbi vete.[7]Në 21 nëntor, me një telegram Berchtold, i shkruante konsullit në Cetinë se, nuk pajtohem me aneksimin e Shkodrës prej Malit të Zi. Po ju them se, nuk kemi ndërmend të marrim qafat e Lovçenit se, atëherë, do të thuhej se kemi qëllime agresive.[8]Interesi i perandorisë për Shkodrën ishte disa shekullor dhe sikur Berchtoldi të dëshironte një gjë të tillë, ajo nuk do të pranohej nga qarqe të tjera që përcaktonin politikën e jashtme të Vjenës. Siç duket kjo ishte një bisedë e Berchtoldit me konsullin në Cetinë, që u mbyll midis tyre. Giesle i sugjeronte Berchtold-it se, mbretin duhet ta bindim një herë të dalë nga Shkodra dhe këtë duhet t‘ia ngulitim atij në kokë, vetëm me anën e forcave ushtarake.[9]
Në 23 nëntor 1912, Giesel i deklaroi Nikollës edhe një herë tjetër se, Shkodra përfundimisht nuk do t’i mbetet Malit të Zi dhe se zotërimi definitiv jo vetëm i bregdetit shqiptar, por edhe i qytetit dhe i rrethit të Shkodrës, nuk mund të pajtohej me krijimin e një Shqipërie autonome. Përgjigja e mbretit ishte se, i kam marrë masat që në pak ditë do të marrë Shkodrën, o kështu o ashtu, veçse ju duhet të dini se në pastë ndërmend Austro-Hungaria, të më përzërë me forcë nga vendet që kam shkelur, atëherë do të mbroj ushtrinë deri në dhinë e fundit dhe deri në fishekun e fundit, dhe këtë gjë do ta bëj edhe në me lëntë në baltë Rusia dhe aleatet e mia.[10] Mbreti Nikolla bashkë me shumë nga nënshtetasit e tij bënin be poshtë e lart se, po të mos merrnin ato që dëshironin, do t’i vinin zjarrin gjithë Evropës, dhe ushtria serbe dhe malazeze do të merrnin Vjenën.[11] Madje, Nikolla pretendonte të bëhej edhe mbreti i Shqipërisë dhe pse jo, me perspektivë edhe i Serbisë. Mijushkoviç, besnik i mbretit, i sugjeroi Giesel-it që, si mbret i Shqipërisë, njeriu i duhur ishte sovrani i tij, duke qenë se atë do e aprovonin si shqiptarët edhe shtetet e tjera të Ballkanit se, ai ishte shumë i dobët.[12] Giesel i ishte përgjigjur se, mbreti i tij është sjellë keq kundra Austro-Hungarisë.[13]
Car Nikolla jo vetëm që nuk merrte parasysh mos aprovimin e diplomacisë vjeneze, por bënte ndërkohë plane për Shkodrën se, çfarë do të bënte me të në të ardhmen. Mbreti i kishte përmendur ambasadorit gjerman se, duke thelluar Bunën do ta lidhte Shkodrën me detin, dhe do ta bënte atë një skelë detare. Kur Giesel i deklaroi sërish se, ajo do t’i mbetet Shqipërisë, mbretit ja ktheu se: në Shkodër mbes unë dhe nëse dëshironi të më nxirrni jashtë me forcë, atëherë do të mbroj veten deri në burrin më të fundit dhe për këtë po ju jap fjalën time të shenjtë. Ju duhet të dini se, unë prandaj i kursej trupat e mia, për t’i pasur gati të paprekura në luftë kundra Monarkisë. Giesel ishte i mendimit se mbreti është fanatik, shovinist dhe veç kësaj egoist i kulluar. Siç shihet e ka humbur komplet gjykimin e qetë dhe të matur mbi zhvillimin, që sipas gjasave do të marrin ngjarjet, sheh vetëm nga syzet e tij, dhe beson se është një nga qendrat e politikës botërore.[14]
Çështja e Shkodrës u diskutua gjatë kur filluan punimet e Konferencës së Ambasadorëve, në janar të 1913. Vjena kërkoi me vendosmëri që, ajo t’i mbetej Shqipërisë dhe për këtë arsye, ajo bëri disa koncesione, siç ishte edhe qyteti i Gjakovës. Vjena kërkonte që çështja e Shkodrës të vendosej përpara se Mali i Zi ta pushtonte. Po në lidhje me Shkodrën, Austria hasi në kundërshtimin e të gjithëve, sepse ajo shihej si trofeu i luftës për Malin e Zi. Anglia kërkonte që Gjermania dhe Italia të bindnin Vjenën që të lëshonte pe, ashtu siç kishte vepruar Rusia me daljen territoriale të Serbisë në Adriatik.[15] Për Sazanovin, ishte e vështirë të bëhej presion mbi Malin e Zi, për t’i grabitur këtij të vetmin përfitim të çmueshëm të luftës.[16] Mali i Zi, si iniciatori i luftës, dilte pa ndonjë përfitim të madh, krahasuar me fuqitë e tjera ballkanike, nëse humbiste Shkodrën. Rusia kërkonte që, Shkodra t’i jepej Malit të Zi, pasi mbreti Nikolla kishte rrezik të humbiste fronin po të mos pranohej kjo kërkesë. Austria e kundërshtoi këtë duke argumentuar se, qeveria e saj nuk dëshironte rënien e Dinastisë Malazeze, por se pretendimet e mbretit Nikolla mbi Shkodrën, nuk ishin të justifikuara nga asnjë anë, as nga ana ligjore, as nga ana ushtarake e as nga ana e vullnetit të popullsisë shqiptare.[17]
Ambasadori italian kishte udhëzime që të përkrahte projektin austro-hungarez, vetëm përsa i përket kufirit lindor, dhe kjo me kusht që të hiqej dorë nga Peja dhe nga Prizreni. Ai nuk do të shprehej në konferencë as për kufirin e jugu, dhe aq më pak për Shkodrën, para se kjo çështje të trajtohej në nivel të lartë në bisedime të drejtpërdrejta midis dy ministrave të jashtëm, San Guliano dhe Berchtold.[18] Pavarësisht përpjekjeve, Italia e dinte këmbënguljen e Austrisë për këtë çështje dhe këshillonte ambasadorin e vet në Peterburg që, nuk është praktike të ngulim këmbë në lidhje me Shkodrën, sepse është e sigurt që Austria në këtë pikë nuk do të heqë dorë, dhe nëse kjo do të kishte koston e një lufte evropiane.[19] Ndërsa Lihnovsky, ambasadori i Gjermanisë në Londër, e këshillonte Mensdorffin, ambasadorin e Monarkisë atje, që të mos vihej në rrezik vetëm për shkak të Shkodrës, gjithë suksesi i bisedimeve të ambasadorëve.[20]
Vjena filloi një luftë diplomatike intensive me qëllim që, të bindte Fuqitë e Mëdha dhe veçanërisht Rusinë, që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë. Berchtold udhëzoi ambasadorin e Austro-Hungarisë në Rusi, që në bisedimet me Sazanovin të mbronte me forcë të madhe argumentet sipas të cilave, Shkodra duhej t‘i lihej Shqipërisë.[21] Ai i deklaroi Rusisë që, tensioni që vihet re, e ka shkakun tek marrëdhëniet me Serbinë, por jo tek ato austro-ruse, se shkëmbimi i mendimeve midis Vjenës dhe Peterburgut, do të jepte mundësi për një zhvillim të shpejtë të bisedimeve të ambasadorëve, se atëherë edhe shtetet e interesuara të Ballkanit, do të nxirrnin përfundime të nevojshme, prej shfaqjes unanime të vullnetit të fuqive.[22]
Në shkurt të 1913, komandanti i Shkodrës vritet pas një darke tek Esat Toptani dhe pothuajse të gjithë dyshimet u hodhën tek Toptani. Hortensa Zambaur, gruaja e konsullit austriak në Shkodër, shkruante në ditarin e saj se, të gjithë njerëzit mendojnë dhe e shprehin haptazi se Esat Pasha ka shtyrë për të vrarë Hasan Riza Pashën, që të mund t’ua dorëzojë qytetin malazezëve.[23] Ndërkohë malazezët kishin filluar hapur masakrat mbi popullsinë civile. Malazezët përdorin masa detyruese kundrejt katolikëve dhe myslimanëve, për t’i konvertuar në ortodoks.[24] Edit Durham, që ka qenë dëshmitare e ngjarjeve na dëshmon se, serbët dhe malazezët pohonin haptazi qëllimin e tyre për t‘i dhënë fund tërë racës shqiptare.[25] Sllavët vazhdonin të bërtisnin vdekje Shqipërisë. Shpëtimi i këtij vendi ishte një detyrë e qartë e Austrisë, e cila duhej të ishte edhe e Italisë. Organi i Dorës së Zezë Serbe, Piemonti, këshillonte therjen e gjithë banorëve të Shkodrës, si dënim për kundërshtimin që ata kishin guxuar të tregojnë.[26]
Në 18 mars 1913, Berchtold takohet me Conrad, shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe vendosën të kërkojnë, ndalimin e bombardimeve të Shkodrës, derisa popullsia civile të evakuohej. Në 19 mars, sërish të dy këta përfaqësues të lartë të Monarkisë takohen dhe vendimi i tyre ishte që të urdhëronin një bllokadë të bregdetit të Malit të Zi, derisa car Nikolla të ndalonte bombardimet. Nëse kjo nuk funksiononte, atëherë, Berchtold ishte dakord për një mobilizim total kundra Malit të Zi dhe Serbisë. Menjëherë u çua një skuadrilje austriake në gjirin e Kotorrit. Berchtold e shpjegon këtë ndryshim të menjëhershëm në politikën e jashtme duke shkruar në ditarin e tij se, nëse do të mbyllnim veshët para raporteve urgjente në rritje që mbërrijnë këtu, ne jo vetëm që fitojmë mëkate serioze të ndërgjegjes për veten tonë, për shkak të protektoratit tonë, në rajonin shqiptar, por do të vuajë edhe ekuilibri i prestigjit tonë në mes të sllavëve të jugut, brenda dhe jashtë kufijve tanë.[27] Berchtold sugjeroi aksione jashtë Konferencës së Londrës, nëse Fuqitë e Mëdha nuk binin në një mendje dhe të detyronin Malin e Zi të linte Shkodrën. Ai sugjeroi se Nëse Konferenca e Ambasadorëve nuk arrin shpejt rezultate, do të ishte e nevojshme për interesat e Shqipërisë që ne, pa marrë parasysh vendimet e diskutimeve të Londrës të marrim masa të njëanshme me qëllim që të ndalojmë zbarkimin e mëtejshëm të trupave në Durrës dhe në San Giovani di Medua.[28]
Në 22 mars, Shkodra i mbeti Shqipërisë sipas vendimit të Fuqive të Mëdha. Po këtë ditë, Berchtold takoi Franc Josef-in dhe i kërkoi atij që të dërgonte trupa ushtarake në Shkodër. Franc Josef i përgjigjet se, kjo do të thotë luftë, unë nuk do ta kem atë.[29] Perandori pranoi që të merreshin masa ushtarake. Po atë ditë Berchtold morri fjalë nga malazezët se, ata refuzojnë që të ndalojnë bombardimet ndaj Shkodrës. Më e keqja për t’u frikësuar ishte, sepse Austria lajmëroi vendosmërinë e saj, të dërgonte trupa përgjatë kufirit nga Bosnja në Mal të Zi. Një aksion i tillë sigurisht që do të kishte sjellë një luftë të madhe evropiane.[30] Ambasadori anglez në Vjenë, për Shkodrën shkruante se mund te bëhet pretekst i luftës evropiane, nga e cila Serbia dhe Mali i Zi, zor se mund të dalin gjallë.[31] Edhe ambasadori i Francës në Vjenë, Dumain në një raport për qeverinë e tij, vë në dukje vendosmërinë e Vjenës për të mos i lëshuar Shkodrën, Malit të Zi. Ai shkruante se, gjëja e vetme për të qenë të sigurt është se, Austria nuk do të heqë dorë nga Shkodra.[32]
Frika e luftës, i shtyu Fuqitë e Mëdha të bashkëpunojnë, për ta shmangur atë. Grey i tërhoqi vëmendjen Serbisë se, “çështja e Shkodrës do të vendoset nga fuqitë, kështu që është e panevojshme për Serbinë dhe Malin e Zi, të vazhdojnë operacione që duken kriminale.”[33] Në 28 mars, Fuqitë e Mëdha, midis tyre edhe Rusia, e urdhëruan Malin e Zi që të ngrinte rrethimin e Shkodrës dhe të ndërpriste çdo veprim luftarak në tokat shqiptare. Ato kishin vendosur që Shkodra do t’i mbetej Shqipërisë dhe Mali i Zi, duhet të zbatonte vullnetin e Fuqive të Mëdha. Sërish Mali i Zi nuk dëgjoi, por vazhdoi me programin e bombardimit të Shkodrës. Në 30 mars, Mali i Zi përfundoi bombardimin e qytetit dhe e sfidoi jo vetëm Austro-Hungarinë, por edhe Evropën. Austro-Hungaria la të kuptohej se, ajo do të merrte masa të njëanshme, për të vënë në vend vullnetin e fuqive. Austria nuk do të cedonte përsa i përket Shkodrës.[34]
Në 30 mars 1913, Eduard Grey, Ministri i Punëve të Jashtme të Anglisë, propozoi që të krijohej një flotë me anije nga të gjitha fuqitë, të cilat të shkonin në brigjet e Malit të Zi, për një demonstrim detar.[35] Grey nuk ishte dakord që Austro-Hungaria të vepronte në mënyrë të njëanshme dhe propozoi aksion të përbashkët ndaj Cetinës.[36] Ai i deklaroi Mensdorffi-it që mënyra më e mirë ishte një demonstrim detar i fuqive, në bregdetin e Mali të Zi.[37] Për Berchtold, demonstrim naval ishte për të parandaluar mbështetjen e trupave serbe, për të marrë pjesë në rrethimin e Shkodrës.[38] Grey ishte dakord, por kjo nuk u pranua nga Franca dhe Rusia. Rusia për shkak se nuk kishte anije në Mesdhe, si dhe për shkak të ndjenjave filo-sllave të opinionit publik dhe Franca për shkak se, donte të mbante anën e Rusisë. Grey i shkruante Francës se, në rast se dështonte një demonstrate detare, unë nuk shoh asnjë alternative përveç se, t”i jepet mandati Italisë dhe Austrisë. Do të ishte katastrofë që të lihej Mali i Zi të sfidonte Fuqitë.[39] Ai ishte i mendimit se, asnjë Fuqi që bënte pjesë në marrëveshjen lidhur me kufirin e Shqipërisë, nuk mund të kundërshtonte çfarëdo mase që mund të dilte e nevojshme, në fund të fundit për ta bërë që të respektohej marrëveshja.[40] Megjithëse Grey ja la Rusisë që të vendoste se sa larg do të shkonte në mbështetjen ndaj Malit të Zi, ai ia bëri të qartë Sazanovit, që në asnjë rrethanë Britania nuk do të përfshihej në një luftë për kufijtë shqiptar. Ndërkohë anijet ruse ishin duke zbarkuar në Tivar topa, 24 milion fishekë, 4000 granata, 7000 pallto dhe materiale te tjera.[41] Ambasadori Austro-Hungarez në Rusi, i hoqi vërejtje Sazanovit, për furnizimin me armë, dhe për këtë Sazanov nuk bëri asnjë objeksion dhe vërejti se, kjo masë vinte tepër vonë për 16 anijet që vinin në konsiderim, pasi sipas lajmeve të fundit ato duhet të kishin mbërritur.[42]
Austria filloj të ushtroj presion mbi Serbinë që ajo të tërhiqte trupat nga Shkodra. N. Pashiç shprehu keqardhje që qëndrimi i Serbisë në çështjen e Shkodrës, konsiderohej si një akt armiqësie ndaj Monarkisë. Ai deklaroi se në rast se, Shkodra do të kapitullonte qeveria serbe do t’ia dorëzonte mbretit Nikolla, dhe se trupat e veta do të tërhiqeshin.[43] Ai pretendonte se nuk i tërhiqte dot trupat serbe nga Shkodra, se ato ishin nën komandën e Malit të Zi.[44] Në 5 prill 1913, në një takim midis shefit të përgjithshëm të ushtrisë së Monarkisë, Conrad dhe ministrit të jashtëm, Berchtold, ky i fundit ngriti mundësinë e pushtimit të Beogradit.[45]
Grey porositi ambasadorin në Beograd, të këshillonte qeverinë serbe që të mos i jepte Austrisë asnjë pretekst, për t’i veshur Serbisë çfarëdo lloj përgjegjësie, dhe të parandalohet Serbia që të ngatërrohet në veprimin e Austrisë. Ai vazhdonte se, veprimi i veçuar nga ana e Austrisë duket shumë i mundshëm dhe do të ishte e papëlqyeshme të përfshihej Serbia.[46] San Guliano kishte deklaruar se Austria do të luftojë, madje edhe ne qofte se, kjo sjell me vete një luftë evropiane, për të ndaluar që Shkodra të bjerë në duart e Malit të Zi, ndërsa druhet se ky veprim i veçuar i Austrisë, do ta detyroj të vihet në lëvizje qeveria ruse dhe lufta do të bëhet e pashmangshme.[47] Ndërsa qeveria Gjermane mendonte se, në rast se do të binte Shkodra, Austria kurrë nuk do të lejonte Malin e Zi që ta mbante, ndërsa Rusia kurrë nuk do te lejonte Austrinë që të dëbonte Malin e Zi me forcë. Prandaj lufta ishte vetëm një çështje kohe dhe meqë ishte e pashmangshme, Gjermania do të parapëlqente që ajo, të fillonte menjëherë.[48]
Fuqitë e Mëdha me iniciativën e Grey-it, vendosën të bënin së bashku demonstratën detare ndaj Malit të Zi, por këtë po e vononte Franca. Pishon e justifikoi këtë me faktin që meqë Rusia ishte aleate e Francës, qeveria franceze, nuk do të mund për shkak të opinionit publik në Francë dhe të ndjenjave të publikut në Rusi, të ndërmerrte një bashkëpunim.[49] Përfundimisht, Franca u bind që të dërgonte trupat, pasi ndryshe kjo, do ti hapte rrugën një veprimi të njëanshëm nga ana e Austrisë. Në 5 prill u bë demonstrimi detar i Fuqive të Mëdha, por sërish mbreti s’u tërhoq. Flota ndërkombëtare në 10 prill 1913, vendosi një bllokadë të afërt të bregdetit nga Tivari deri në grykën e lumit Drin.[50] Mbreti ishte i vendosur që me gjithë demonstratën detare, të vazhdonte rezistencën kundra Evropës. Prefekti i Tivarit mori urdhër, që përkundrejt ekuipazhit të anijeve të tregohej shumë i sjellshëm dhe dashamirës, por me aktin e parë të dhunës, të përgjigjej me zjarrin e topave që qenë vendosur mbi Sutoruan dhe Valovica. Rusia e gjendur nën presionin e Monarkisë filloj t’i bëjë presion Serbisë dhe Malit të Zi, që të tërhiqeshin prej Shkodrës. Cari rus i kishte deklaruar mbretit të Mali të Zi se, ai nuk duhet të imagjinonte se do të mbante Shkodrën edhe sikur ajo të kapitullojë.[51] Duke parë zemërimin e Austro-Hungarisë ndaj Serbisë, kjo e fundit në 11 prill, tërhoqi trupat nga Shkodra dhe kështu u bë i pamundur, ndonjë aksion ndaj saj.
Berchtold ishte i mendimit se, duke qenë që bllokada nuk po jepte asnjë efekt duhej ndërmarr një hap i dytë dhe sipas mendim të tij, ky duhet të ishte zbarkimi i një force ndërkombëtare.[52] Austria donte të dërgonte sipas Berchtoldit 40.000 trupa, sepse Austria nuk mund të rrezikonte një aventurë të dështuar.[53]Sipas ambasadorit anglez në Vjenë pozita e ministrit austriak të punëve të jashtme po bëhet tepër e vështirë, për shkak të politikës së tij të mosveprimit, po e sulmojnë ashpër nga të gjitha anët.[54] Berchtold i propozoi Italisë aksion të përbashkët, por ajo refuzoi. Megjithatë në 6 prill, ajo e pranoi në parim kërkesën e Austrisë, për një mandat të dy fuqive në Shkodër, por Italia sugjeronte që më përpara të përdoren “mjete të tjera”.[55] Berchtold i ktheu përgjigje se, në qoftë se, të gjitha mjetet e tjera do të dështonin, Kabineti i Romës do të duhet ndërkaq që të ketë të qartë se, Italia duhet që t’i kapërcejë të gjitha këto vështirësi në rast se, dëshiron të shikojë të zbatuar programin tonë të përbashkët shqiptar. Ai vazhdonte se, për ta realizuar këtë program është e domosdoshme që, si Austro-Hungaria, dhe Italia të qëndrojnë të bashkuara për zbatimin e tij në tërësi, do me thënë, që të dyja këto Fuqi të Mëdha, të ngrihen me të njëjtën energji, kundër vendosjes së një fuqie sllave në Shqipërinë Veriore, si dhe kundër asaj të një Greqie në Shqipërinë e Jugut. Sipas tij, mbrojtja e programit tonë të përbashkët shqiptar, na e bën të nevojshëm sipas rrethanave edhe përdorimin e masave shtrënguese, kundra Malit të Zi. Italia do të jetë e detyruar që t’i marrë ato së bashku me ne, në qoftë se, dëshiron të evitojë që një shtet ballkanik të arrijë të vendoset në Durrës dhe tjetri në Vlorë.[56]
- DORËZIMI I SHKODRËS DHE MOBILIZIMI I AUSTRO-HUNGARISË
Duke parë se gjendja në Shkodër po bëhej emergjente, në 22 prill Berchtold i sugjeroi Koncertit se ishte koha për të zbarkuar trupa.[57] Po në 22 prill Esat Toptani thirri parinë e Shkodrës, muhamedanë dhe të krishterë, dhe i njoftoi se, ai ishte i detyruar që ta dorëzonte qytetin.[58] Esat Pasha u dërgoi konsujve një notë, në të cilën njoftonte se, pas shtatë muajsh luftimesh pa asnjë ndihmë nga jashtë, në pamundësi të siguronte ushqime, të nesërmen do të dorëzonte qytetin dhe do të tërhiqej me trupat e tij.[59] Rënia e Shkodrës ishte një goditje e rëndë për politikën ballkanike austro-hungareze.[60]
Në 23 prill 1913, vjen në Vjenë lajmi i dorëzimit të Shkodrës. Menjëherë pas këtij lajmi u mblodh Këshilli i Luftës me Berchtold, Conrad dhe Admiralin Hause, komandantin e flotës. Berchtold sugjeroi një pushtim të menjëhershëm të kryeqytetit të Malit të Zi, por u la që të pritej reagimi i Fuqive të Mëdha dhe për këtë iu dërgua atyre një telegram, ku ndër të tjera thuhej se, “Ne duhet të presim që Fuqitë, duhet të vijnë menjëherë me një vendim të menjëhershëm në lidhje me masat shtrënguese të marra prej tyre. Nëse Fuqitë nuk mund të vendosin të bëjnë këtë, ne propozojmë pushtimin e porteve të Malit te Zi, nga një fuqi ndërkombëtare, madje dhe bombardimin e këtyre porteve. Ne kemi një detyrim moral që të sigurojmë zbatimin e vendimeve të Fuqive, që u vendosën nga një konferencë ndërkombëtare, dhe të detyrojmë evakuimin e Shkodrës.”[61]
Në 23 prill, u mblodhën ambasadorët e Fuqive të Mëdha, nën drejtimin e kryeministrit anglez. Mensdorff paraqiti aty qëndrimin e diplomacisë së Austro-Hungarisë. Ai theksoi se, “me rënien e Shkodrës, asnjë ndryshim nuk do të bëhej në caktimin e kufijve të Shqipërisë, të cilat do të mbeteshin ashtu siç ishin fiksuar, në marrëveshje midis Fuqive të Mëdha. Ai kërkoi marrjen e masave të shpejta shtrënguese kundër Malit të Zi, nga Koncerti i gjashtë Fuqive, për ta detyruar atë që të lëshonte Shkodrën, përndryshe ai e bëri të qartë se, Vjena ishte e vendosur të vepronte në mënyrë të njëanshme, duke ndërhyrë me forcë për të dëbuar trupat malazeze.[62] Mensdorff kërcënoi me ndërhyrje ushtarake të Monarkisë, nëse trupat malazeze nuk linin Shkodrën.[63] Ambasadori anglez njoftonte nga Vjena se, po të mos merreshin masa efikase, Berchtold kishte ndërmend t’i jepte urdhra Mensdorff-it, të largohej fare nga një konferencë që nuk ishte në gjendje të siguronte respektimin e vendimeve të saj.[64] Të gjendur nën presionin e Monarkisë, përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, dolën me një deklaratë sipas së cilës: “Konferenca është e mendimit se qeveria malazeze, duhet të deklarojë në mënyrë kolektive se pushtimi i Shkodrës, nuk i modifikon vendimet e Fuqive të Mëdha..qyteti i Shkodrës duhet zbrazur në afatin më të shkurtër, dhe duhet dorëzuar Fuqive të Mëdha, që janë përfaqësuar nga komandantët e forcave detare ndërkombëtare.”[65]
Gazeta “Neue Freie Presse”, për Shkodrën shkruante se; Monarkia ka vështrimin se Shkodra duhet të jetë Shqipëri, tani pyetja është a do të lejojë Austro-Hungaria, Malin e Zi, dhe Serbinë gjithashtu, të pengojnë zbatimin e kësaj politike. Përgjigjja nuk ka dyshim edhe për ata që kanë kundërshtuar një luftë parandaluese të hapur. Shkodra nuk duhet të bëhet malazeze. Nëse kjo u arrit paqësisht, jemi akoma të bindur se mund të bëhet më mirë. Në qoftë se kjo që pritet, nuk përmbushet, Monarkia do të vendosë se çfarë aksioni do të ndërmarrë.[66] Kjo gazetë më pas mori pozicionin “Me Evropën nëse është e mundur, pa Evropën nëse është e nevojshme.”[67]Në qoftë se, Fuqitë e Antantës nuk donin të përdornin aksionin ushtarake, Austria ishte më e vendosur se kurrë dhe ishte përgatitur që të ndërmerrte një aksion më vete, që përfshinte edhe pushtimin e Malit të Zi. Në Konferencën e Ambasadorëve në 28 prill, Mensdorff deklaroi që, nëse Fuqitë nuk do të merrnin masa për të sjellë Malin e Zi në kushtet e caktuara, Austria do të detyrohej të vepronte e vetme. Ndërkohë, përfaqësuesi i diplomacisë austro-hungareze në Petërburg, Thurn takohet me Sazanov. Thurn i deklaroi atij se, Monarkia e Danubit nuk kishte aspak dëshirë që të veçohej prej fuqive të tjera, por nëse ato nuk do të ndërmerrnin një aksion energjik, për Austro-Hungarinë, nuk do të mbetej rrugë tjetër veçse nëpërmjet një aksioni të veçantë, të kujdesej vetë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Sazanov iu përgjigj se, çështja e Shkodrës është res judicata* që nuk mund ta kthehej më kurrë, kështu që mbreti Nikolla duhej ta zbrazte prapë qytetin dhe nuk do të ishte nder për Austrinë të sulmonte Malin e Zi, për shkak të disproporcionit të forcave.”[68] Rusia nuk pranonte që, Austro-Hungaria të merrte një mandat, që të vendoste në vend vendimet e Konferencës së Ambasadorëve për Shkodrën. Për Sazanov një mandat i tillë ishte i “padiskutueshëm”. Ai theksonte “rrezikun e madh që do të sillte një ndërmarrje e tillë dhe për këtë bëri vërejtje, se prej kësaj mund të shkaktohej një luftë evropiane.”[69]
Ndërsa, Gjermania i bëri të ditur Francës se durimi i Austrisë kishte shteruar dhe se Evropa nuk mund ta linte Malin e Zi ta bënte qesharak përpara botës dhe përpara historisë. Ajo propozonte që mandati t‘i jepej Austrisë dhe Italisë, për të çuar në vend kërkesat e Evropës. Nëse Italia nuk e pranonte këtë ofertë, Austria duhej të vepronte e vetme.[70] Austro-Hungaria i kishte propozuar Italisë një aksion të përbashkët në Mal të Zi, por përgjigja përfundimtare e Romës ishte se, e konsideronte një bashkëpunim me Austro-Hungarinë, kundra Malit të Zi, si jo oportune prej pengesave të opinionit publik dhe nuk mund të merrte pjesë në të.[71] Ndërsa përgjigja e Berchtold-it për Romën, ishte se, aksioni ynë vjen më shumë vonë, sesa herët dhe prej qëndrimit të Malit të Zi, justifikohet plotësisht.[72] Italia nuk donte që ta ndihmonte Austrinë për Shkodrën, sepse ky qytet ishte jashtë zonës së interesave të saj në Shqipëri, por edhe sepse siç e kemi përmendur, vajza e Nikollës ishte mbretëresha e Italisë, dhe ajo nuk mund të pranonte një aksion ushtarak ndaj babit të saj.
Car Nikolla ishte i vendosur të luftonte kundra Monarkisë. Në një bisedë me ambasadorin italian në Cetinë, mbreti dhe princi trashëgimtar u munduan të mësonin se, nëse në masat shtrënguese do të merrnin pjesë të gjitha Fuqitë e Mëdha, ose nëse do t’i jepej një mandat Austro-Hungarisë, dhe kur mund të pritej sulmi. Më vonë ata i deklaruan ambasadorit italian se, me Monarkinë do të luftohej, por një aksioni të përbashkët ndoshta do t’i duhet t’i përkuleshin. Sidoqoftë kundra çdo detashmenti që do të zbarkonte, do të hapej zjarr.[73] Grey mendonte se në rast se ai (mbreti) nuk do ta zbrazte Shkodrën, atëherë në një mënyrë ose një tjetër, ai do të dëbohej me siguri prej saj dhe Mali i Zi, duhet të hiqte dore prej shpresës, për një ndihmë të mëtejshme nga ana e Fuqive të Mëdha. Në këtë rast, konsekuencat e qëndrimit të tij do të ishin fatale.[74] Ai i dërgoi një telegram ambasadorit të tij në Cetinë, të cilin e urdhëroi që t’i sqaronte mbretit të Malit të Zi dhe qeverisë seriozitetin e gjendjes. Austro-Hungaria ka ndërmend të ndërmarrë një aksion të veçantë, nëse Mali i Zi nuk do t’u nënshtrohej demarsheve që kanë bërë Fuqitë e Mëdha, demarshe këto që Mali i Zi, nuk i trajton në mënyrë aspak të urtë e nuk i trajton si tepër të ngutshme. Sipas tij, Austro-Hungaria nuk më dha asnjë siguri se, ajo nuk do të fillonte menjëherë aksionin në rast se, Mali i Zi, nuk do t’u japë përgjigje brenda pak ditëve kërkesave të Fuqive të Mëdha, atëherë Mali i Zi mund të presë vetëm alternativën e përmendur.[75] Grey i deklaroi Miushkoviq që, Shkodra është një bombë, e unë nuk dua ta shpërthej.[76]
Në 1 maj 1913, mbreti Nikolla, i Malit të Zi i hodhi poshtë kërkesat e Fuqive të Mëdha.[77] Ndërsa, në 2 maj Mali i Zi, propozoi edhe një variant të padëgjuar për tërheqjen nga Shkodra. Kështu, pasi të qëllonin trupat ndërkombëtare, trupat e tij të hapnin zjarr sa për dukje, të manifestohej violenca e Evropës dhe pas kësaj ai mund të përkulej më lehtë. Ambasadori austro-hungarez raportonte se, “e refuzova këtë lodër kriminale.”[78] Në Mal të Zi, u morr vendim se, kundra çdo aksioni ushtarak, pra, edhe kundra zbarkimit të detashmenteve ndërkombëtarë duhej bërë një rezistencë deri në fund.[79] Sazanov ishte i mendimit se, Nikolla “kërkon konflikt dhe përleshje me trupat austro-hungareze, me qëllim që, të provokojë komplikacione të këqija.”[80] Mali i Zi vazhdonte të ngulte këmbë në të vetën, dhe nuk i merrte fare në konsideratë as këshillat e Fuqive e Mëdha, por as edhe kërcënimet e Austro-Hungarisë. Kjo sepse, ai mbante shpresë tek përkrahja e Rusisë, dhe sepse ai e njihte situatën ndërkombëtare, që një provokim mund të çonte në lufte midis Fuqive, dhe ato do donin ta shmangnin atë. Kështu, ai e shfrytëzonte ketë situate në favorin e vet. Meqë Fuqitë e Mëdha do të bënin gjithçka për të shmangur luftën, ai i sfidonte ato duke mbajtur Shkodrën.
Berchtold mendoi se prestigji i Austrisë varej nga mbajtja e Shkodrës për Shqipërinë, dhe ndërsa situata u bë më e tensionuar, Berchtold kërcënoi të përdorte forcë për t’i dhënë malazezëve të ngrinin rrethimin e qytetit.[81] Për shkak te qëndrimit kokëfortë të mbretit Nikolla, Monarkia Hapsburge ndryshoi strategji dhe vendosi të fuste trupat në Bosnje Hercegovinë dhe Dalmaci, me statusin e gatishmërisë ushtarake dhe i çoj një ultimatum Malit të Zi.[82] Kështu në Austri, më 2 maj u mbajt mbledhja e Këshillit të Ministrave, me qëllim që, të përgatiteshin për luftë me Malin e Zi. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berchtold ndër të tjerash tha; “Shkodra është sot çelësi i programit tonë në Ballkan. Shkaqet janë këto:
- Pa këtë qytet, sipas krejt autoriteteve shqiptare, as që mund të përfytyrohej ekzistenca e Shqipërisë, vitaliteti i saj. Prandaj me humbjen e saj, duhej të hiqej dorë nga një Shqipëri e pavarur.
- Në rast se Shkodra do të binte nën posedimin e Malit të Zi, atëherë është frika se, skela e tij natyrore, Shëngjini, me kalimin e kohës nuk do të qe në gjendje të qëndrojë në posedimin e Shqipërisë. Në këtë mënyrë Mali i Zi do të fitonte një skelë të re, të cilën, ai duke marrë në konsideratë ndihmën që iu dha prej serbëve në aksionin e Shkodrës, përkundrejt një shpërblimi mund t’ua linte serbëve dhe kështu këta të fundit, kundra vullnetit tonë do të ngulen me gjithë këmbë në Adriatik.
- Nëpërmjet inkorporimit të Shkodrës, serbëve do t’u jepej një tokë thjesht shqiptare dhe kështu, serbizimi do të shtrihej përtej kufijve të tij etnik.
Në të tre pikat, programi ynë ballkanik është i lidhur ngushtë me fatin e Shkodrës që brenda dhe jashtë Monarkisë është për ne një çështje prestigji. Sipas tij, ne jemi para alternativës, ose të heqim dorë prej programit tonë ballkanik dhe në këtë mënyre të mos përfillim jo vetëm interesat politike vitale për Monarkinë, por të vëmë në lojë dhe prestigjin e saj. Ai ishte i mendimit se, bllokada ndërkombëtare nuk ia arriti qëllimit të dëshmuar dhe për këtë arsye ne ju drejtuam qeverisë italiane me komunikim se, në rast se demarshi kolektiv në Cetinë, nuk do të sillte asnjë rezultat pozitiv, dhe Fuqitë e Mëdha nuk do të binin dakord mbi marrjen e masave të efektshme, atëherë na mbeteshin dy alternativa, ose luftë me Malin e Zi, ose një bashkëpunim ushtarak me Italinë, që do të kishte si qëllim që të detyronte Malin e Zi të zbrazte Shkodrën. Italia dha të kuptohej se, nuk mund ta shihte veten të detyruar të marrë në shqyrtim një ekspeditë ushtarake atje. Por kaq është se sigurt se, ne duhet të llogaritim mundësinë e një konflikti me Malin e Zi dhe duhet mbajtur parasysh se, Italia nuk do ta pranonte me qejf një prishje të ekuilibrit dhe Rusia do të hynte në luftë me ne.[83] Këshilli vendosi të thërriste në shërbim rezervistët jo aktive në Bosnjë, Hercegovinë dhe Dalmaci dhe dhënien e 5 milion croun, për forcimin e mbrojtjes në gjirin e Kotorrit.[84] Këto masa në fakt mobilizonin forcat e armatosura të Austro-Hungarisë, kundra Malit të Zi, edhe pse fjala mobilizim, nuk ishte përdorur specifikisht. Fakti që, Austro-Hungaria vendosi mobilizimin e ushtrisë, do të thoshte luftë, dhe kjo shkaktoi panik në Mal të Zi. Më 3 maj, Giesel informoi Vjenën që, Mali i Zi do të deklarojë publikisht dorëzimin e Shkodrës në ditët në vazhdim, por Giesel rekomandoi që t’i bëhej ultimatumi.[85] Në natën e 3 majit, Giesel u udhëzua që të bëhej gati për më të keqen, në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike, i ishte thënë që të besonte mbrojtjen e legatës dhe mbrojtjen e bashkëkombësve austro-hungarez, tek Eckardt, në ambasadën gjermane.[86]
Mobilizimi ushtarak i Austrisë dhe nota që ju çua Malit të Zi, shkaktuan shqetësim tek Fuqitë dhe Mëdha, dhe tek opinioni publik i tyre. San Guliano i deklaroi Berchtoldit se, nëse Vjena pushtonte Lovçen, ose territore të tjera të Malit të Zi, Roma do të ishte e obliguar të pushtonte Vlorën, ose mundësisht porte të tjera shqiptare.[87] Ai e mbështeti këtë kërcënim duke filluar përgatitjen ushtarake.[88] E vetmja formë bashkëpunimi për Italinë ishte që ndërsa Austria të operonte në Veri ata të operonim në Jug.[89] San Guliani qortoj Berchtoldin se, artikulli shtatë i Aleancës Treshe nuk e lejonte që Monarkia Dualiste të vepronte, pa miratimin italian. Nëse Vjena do të ndërmend një aksion unlitarel kundra Mali të Zi, dukej qartë se Italia do të merrte Vlorën.[90]Italia e shikonte çështjen thjesht nga pikëpamja e përvetësimit territorial dhe kërkonte justifikim që të pushtonte pikërisht Shqipërinë, që ishte shkaku për të cilën Austria, kërkonte të hynte në luftë me Malin e Zi.
Ndërsa Pishon, ministri i jashtëm francez mendonte se, çështja shqiptare është një çështje evropiane dhe se fuqitë vendosën në muajin dhjetor që Shqipëria do të ndërtohet si shtet autonom, me garancinë dhe kontrollin e tyre. Asnjë nga ato nuk ka denoncuar akordin e arritur kështu që, ato duhet të ndjekin me besnikëri ekzekutimin. Sipas tij, nëse qeveritë austriake dhe italiane pretendojnë të zbarkojnë trupat e tyre në tokën shqiptare, Fuqitë e tjera duhet të marrin pjesë në operacionin ushtarak, për t’i dhënë karakterin evropian dhe provizor pushtimit.[91] Në 4 maj, edhe Sazanov deklarohet kundra ndërhyrjes ushtarake në Shqipëri. Sipas tij Shkodra i intereson fuqive sepse ndërton një pjesë të një çështjeje tjetër, atë të Shqipërisë. Nëse është çështja për okupimin e përkohshëm të Shkodrës, nuk do të ishte logjike të ekzaminonim pushtimin provizor, me trupa ndërkombëtar të gjithë Shqipërisë.[92] Pra, Franca dhe Rusia dëshironin të merrnin pjesë në një operacion ushtarak, për të mos e lënë vetëm Monarkinë, me qëllim që, ajo të mos fitonte terren në politikën ballkanike.
Shteti malazez e vlerësoi seriozisht kërcënimin austro-hungarez. Ai bëri përforcime në zonat kufitare e veçanërisht në Shkodër e në Nikshiq, dhe në pika të tjera strategjike në të cilat mund të bëhej sulmi eventual austro-hungarez.[93] Përballë veprimit austriak, Sazonov ishte duke punuar shumë për të shpëtuar paqen dhe prestigjin e Rusisë. Ai i dërgoi telegram Benckendorff në Londër, duke e udhëzuar atë që të nxisë Fuqitë që të qëndrojnë të fortë kundër kërkesave austriake. Ai bëri thirrje Cetinës, duke u ankuar se malazezët nuk e kuptonin rrezikun e situatës. Ai i tha Benckendorff, “Nuk është çështje e interesave të ngushta të dinastisë dhe qeverisë malazeze, as të marrëzive të tyre, por të interesit suprem të paqes evropiane”.[94] Rusia, tha ai, nuk ishte e gatshme të ndihmojë “fillimin e një lufte botërore në mënyrë që Mbreti Nikolla të gatuaj një omëletë“[95] Konferenca dukej e paaftë për të zgjidhur problemin e Shkodrës, por pikërisht në momentin kur Austria vendosi të dërgojë një ultimatum në Mal të Zi, mbreti malazez vendosi të hiqte dorë.[96]
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Malit të Zi të mbajtur në 3 dhe 4 maj, të cilën e udhëhoqi vet mbreti Nikolla, u analizua gjendja e përgjithshme dhe pas shumë diskutimeve fjalën e mori mbreti Nikolla, i cili deklaroi se: Kam vendosur ta pi deri në fund gotën e helmit, jam i detyruar të lëshoj Shkodrën, ëndrrën e rinisë sime, Shkodrën e kurorëzuar me mijëra varre të ushtarëve të mi më të mirë, Shkodrën, pasurinë e ligjshme të vet Malit të Zi”. “Nuk ka asnjë fije shprese lidhur me Shkodrën kur tërë Evropa qëndron në anën e kundërt. Për këtë arsye nga dy të këqija të zgjedhim më të voglën dhe të shpëtojmë përherë atdheun tonë të dashur.[97]
Në 5 maj 1913, Ser Eduart Grey mori një telegram nga Cetina që përmbante një mesazh të mbretit Nikolla, drejtuar Grey-it, në të cilin lartmadhëria e tij mbas disa frazash të bukura dhe heroike, në fund deklaronte se, “fatin e Shkodrës e lëshoj në duart e Fuqive të Mëdha.”[98] Në 14 maj 1913, flota ndërkombëtare mori kontrollin e Shkodrës dhe ajo u bë e Shqipërisë pa luftë më armë, por me luftë diplomatike. Misioni i hyrjes se trupave të Fuqive të Mëdha u drejtua nga Anglia dhe Berchtold sqaroi katolikët e Shkodrës se, roli drejtues i Anglisë në aksionin për okupimin e Shkodrës, nuk donte të thoshte aspak se, ky aksion duhet të mbante vetëm vulën angleze, por duhej vënë në dukje karakteri i tij ndërkombëtar. Qeveria e Austro-Hungarisë u dha rëndësi të veçantë fakteve që në Shqipëri karshi Evropës, të eliminohej përshtypja sikur Monarkia ndiqte plane egoiste. Austro-Hungaria manifeston si më parë interesin më të gjallë për forcimin e begatinë e shtetit të pavarur shqiptar.[99]
Kështu, me një kërcënim lufte, Austria e bindi mbretin malazez të tërhiqej nga Shkodra. Në një raport sekret të Ministrisë së Jashtme austro-hungareze, në lidhje me krizën e Shkodrës, parashtroheshin edhe arsyet e vërteta, që e detyruan Austro-Hungarinë të merrte masa ekstreme ndaj Malit të Zi. Në këtë raport shkruhej se, veprimtaria jonë energjike qe urdhëruar nga fakti se, në rast të kundërt vënia në jetë e vendimeve të Evropës, do të ishte e diskutueshme, dhe krijimi i Shqipërisë faktikisht do të ishte iluzion.[100]Kriza e Shkodrës demonstroj një limitim të diplomacisë së Koncertit përball një fuqie të vogël sfiduese.[101]
KONKLUZIONET
Shkodra ishte synimi kryesor anekses i Mali të Zi gjatë Luftës së Parë Ballkanike në vitet 1912-1913. Mbreti Nikolla, e rrethoi Shkodrën dhe e mbajti gjashtë muaj të rrethuar, pasi trupat osmane, së bashku me ato shqiptare, i rezistuan sulmeve malazeze. Në Konferencën e Ambasadoreve në 22 mars, Shkodra ju caktua Shqipërisë me insistimin e Austro-Hungarisë qe u detyrua të lëshoj Gjakovën dhe Dibrën, me qellim që të siguronte Shkodrën për Shqipërinë. Fuqitë e Mëdha organizuan një demonstratë detare që Mali i Zi, as e mori fare seriozisht. Më 22 prill, Esat Toptani ja dorëzoi Shkodrën trupave malazeze dhe kjo shkaktoi një reagim të menjëhershme të Austrisë, qe mori masa të njëanshme pa konsensusin e Fuqive të Mëdha. Në 2 maj të vitit 1913, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Austro-Hungarisë u vendos që të mobilizohej ushtria dhe ti çohej një telegram paralajmërues Malit te Zi. Brenda datës 5 maj, Nikolla duke marrë parasysh këshillat dhe kërcënimet nga ana e Fuqive të tjera, u detyrua te dorëzohej dhe Shkodra ti mbetej Shqipërisë.
Biblografia
Haus und Hof Staatsarchiv, Wien, Politisches Archiv, Albanien (HHStA, PA, A). Në Arkivi Institutit të Historisë ( AIH). Viti 1912
HHStA, PA, A, në AIH, vj. 22-1-165
HHStA, PA. A, nr. 4355, në AIH vj. 22-23-2378
OUA, Österreich-Ungarns, Aussenpolitik von der bosnischen krise 1908 bis zum kriegsausbruch 1914, Vienna 1930( Dokumente të Ministrisë së Jashtme Austro-Hungareze të viteve 1908- 1914 ). Në AIH dosja A 41-42. Viti 1913
OUA, nr. 6721
OUA, nr. 6755
OUA, nr. 6812
OUA, nr. 6795
AQSH, F. 1501-6, Arkivi i Ministrisë së Jashtme Italianë, dosja 58, viti 1913
DDF, ( Document Diplomatique Française) Les Affaires Balkaniques 1912-1914; Vellimi II, 3 decembre 1912- 10 gusht 1913
Dokumente Britanike për çështjen shqiptare, 1912-1913, Muhamet Shatri, Tiranë 2012.
DDF, Les Affaires Balkaniques 1912-1914; Vëllimi II, 3 dhjetor 1912-10 gusht 1913
BISCHOF, Gunther, PELNIKA, Anton, GEHLER, Michael; – Austrian forign policy in historical contect. Transaction Publisher 2006.
BICAJ, Isa – Marrëdhëniet shqiptaro-malazeze 1881-1914, Prishtinë 2003.
BRIDGE F.R. and BULLEN, Roger, The Great Powers and the European State System 1814-1914, Published New York 2005, second edition.
[1] HHStA, PA, A, në AIH, vj. 22-1-165; Zambaur për Berchtold , Shkodër, 28 tetor 1912.
[2] Zekiria Cana, Politika e Serbisë kundrejt çështjes shqiptare1903- 1913, Prishtinë 2006, f. 315
[3] HHStA, PA. A, nr. 4355, në AIH vj. 22-23-2378; Berchtold për Cetinë, Budapest, Vjenë 10 nëntor 1912
[4]Richard Cooper Hall, Austria-Hungary and northern Albanian frontiers 1912-1913, Ohio State University 1974. f.31
*e zonja për të jetuar
[5] Po aty f. 39; Alessandro Duce, L’Albania nei rapporti italo-austriaci 1897-1913, Milano 1983,f. 319
[6] HHStA, PA, A, në AIH vj 22-24-2442; Berchtold për Giesel, Vjenë 17 nëntor 1912
[7] HHStA, PA, A, në AIH vj 22-24-2449; Gisel për Berchtold, Cetinë 17 nëntor 1912.
[8] HHStA, PA, A, nr. 4537, në AIH, vj 22-24-2478, Berchtold për Giesel, Cetinë 21 nëntor 1912
[9] HHStA, PA. A, nr. 4539, në AIH vj 22-24-2480, Giesel për Berchtold , Cetinë 21 nëntor 1912.
[10] HHStA, PA. A, nr. 4609, në AIH vj 22-25-2514; Raport nga Giesel, Cetinë 25 nëntor 1912; Si dhe HHStA, PA, A; nr. 4576, në AIH vj 22-24-2500; Gisel për Berchtold, Cetinë 23 nëntor 1912.
[11] Edit Durham, Njëzetë vjet ngatërresa Ballkanike, Tiranë 2001, f. 250.
[12] HHStA, PA, A; nr. 4653, në AIH vj 22-25-2539, Giesel për Berchtold, Cetinë 27 nëntor 1912
[13] HHStA, PA, A; nr. 4678, në AIH vj 22-25-2554, Raport i Giesel, Cetinë 28 nëntor 1912
[14] OUA, nr. 4733, në AIH A. 41-42, f. 9-16; Relacioni i Giesel, Cetinë, 1 dhjetor 1912
[15] Arben Puto, Pavarësia e Shqipërisë në tryezat e diplomacisë, Tiranë 2008,f . 57
[16] Po aty, f. 57
[17] Po aty, f. 72
[18] Po aty, f. 57
[19] Alessandro Duce, L’Albania nei rapport italo-austriaci..f. 318.
[20] Arben Puto, Pavarësia e Shqipërisë..f. 57.
[21] Po aty, f. 60.
[22] Po aty , f. 61.
[23] Hortense von Zambaur, Rrethimi i Shkodrës, 10 tetor 1912-22 prill 1913, Shkodër 2006, f. 54 ; Edit Durham. Lufta për Shkodrën, Shkodër 2005, f. 20.
[24]DDF, Les Affaires Balkaniques 1912-1914; Vëllimi II, 3 dhjetor 1912-10 gusht 1913; nr. 172, f. 111, Tel i Jonnart për ambasadorët në Fuqitë e Mëdha, Paris 20 mars 1913.
[25] Edit Durham, Lufta për Shkodrën.. f. 192.
[26] Po aty, f. 250.
[27] Richard Cooper Hall, Austria-Hungary and northern Albanian frontiers.., f. 72
[28] Po aty, f. 69.
[29] Po aty, f. 74.
[30] Herbert Adams Gibbons, New Map of Europe, 1911-1914, New Jork The Century .CO 1914, f. 359.
[31] Zekiria Cana, Politika e Serbisë kundrejt çështjes shqiptare..f. 386.
[32] DDF, Les Affaires Balkaniques 1912-1914; Vëllimi II, 3 dhjetor 1912-10 gusht 1913; nr. 160, f. 10, Tel i Dumaine për Jonnart, Vjenë 11 mars 1913.
[33] Eduar Grey, Memoires de Edward Grey, Paris 1927, f. 252.
[34] AQSH, F. 151, dosja nr. 13, Dumain, për Jonnart MPJ të Francës, Vjenë 11 mars 1913, f. 1.
[35] Rusia nuk mori pjesë në demonstrimin detar.
[36] Arben Puto, Pavarësia e Shqipërisë në tryezat e diplomacisë, Tiranë 2008; f. 82.
[37] Po aty, f. 82.
[38] Milan Vego, Austria-Hungarian naval polici 1904-1914, Published in Great Britain 1996, f.151.
[39] Dokumente Britanike për çështjen shqiptare, 1912-1913, Muhamet Shatri, Tiranë 2012, f. 380.
[40] Po aty, f. 389.
[41] OUA, nr. 6416, në AIH, A 41-42, f. 30; Giesel për Berchtold, Cetinë 2 prill 1913.
[42] OUA, nr, 6500, në AIH, A 41-42, f. 15, Thurn për Berchtold, Petërburg 7 prill 1913 .
[43] OUA, nr. 6443, në AIH A 41-42, f. 7, Ugron për Berchtold , Beograd 4 prill 1913.
[44] Arben Puto, Pavarësia e Shqipërisë..f. 83.
[45] Richard Cooper Hall, Austria-Hungary and northern Albanian frontiers..f. 78
[46] Dokumente Britanike për çështjen shqiptare,.. f. 485.
[47] Po aty, f. 384.
[48] Po aty, f. 419.
[49] Po aty, f. 398.
[50] Po aty, f. 425.
[51] OUA, nr. 6501, në AIH A 41-42. f. 15; Thurn për Berchtold, Peterburg 7 prill 1913.
[52] Dokumente Britanike për çështjen shqiptare, 1912-1913..f. 447.
[53] Po aty, f. 448.
[54] Po aty, f. 414.
[55] HHStA, PA, A; në AIH, vj 23-24-2421, Merey për Berchtold, Romë 6 prill 1913.
[56] HHStA, PA, A; në AIH, vj 23-24-2401, Berchtold për Merey, Vjenë 7 prill 1913.
[57] Richard Cooper Hall, Austria-Hungary and northern Albanian frontiers..f. 80.
[58] Hortense von Zambaur, Rrethimi i Shkodrës, 10 tetor 1912-22 prill 1913, Shkodër 2006, f. 120
[59] Po aty, f. 120.
[60] A. F. Pribram, Austrian Foreign Policy, 1908-18, London 1923, f. 44
[61] OUA, nr. 6717; në AIH A 41-42, f. 38-39; Mbledhje midis Berchtold, Conrad dhe admirali flotës Hause, datë 23 prill 1913.
[62] Arben Puto, Pavarësia e Shqipërisë..f. 86.
[63] Alessandro Duce, L’Albania nei rapporti Italo-Austriaci..f. 325.
[64] Arben Puto, Pavarësia e Shqipërisë..f. 87.
[65] OUA, nr. 6721, në AIH A 41-42, f. 39; Mensdorff për Berchtoldit, Londër 23 prill 1913.
[66] Richard Cooper Hall, Austria-Hungary and northern Albanian frontiers.. f. 81.
[67] Po aty, f. 82
[68] OUA, nr. 6755, në AIH; A 41-42, f. 44, Thurn për Berchtold, 24 prill 1913.
[69] OUA, nr. 6812; në AIH; A 41-42, f. 55, Thurn për Berchtold, Peterburg 28 prill 1913.
[70] Raymond Poincare, Le Balkan on feu, Në Lufta e Parë dhe e dytë Ballknike si dhe Konferenca e Londrës 1912-1913, Tiranë 2009, f. 484.
[71] OUA, nr. 6795, në AIH; A 41-42, f.51; Merey për Berchtold, Romë 27 prill 1913.
[72] OUA, nr. 6852, në AIH; A 41-42, f. 63-64; Berchtold për Merey, Vjenë 1 maj 1913.
[73] OUA, nr. 6821, në AIH; A 41-42, f. 56; Giesel për Berchtold, Cetinë 29 prill 1913.
[74] OUA, nr. 6848, në AIH; A 41-42, f. 61-62; Mensdorff për Berchtold, Londër 1 maj 1913.
[75] OUA, nr. 6850 në AIH; A 41-42, f. 63; Mensdorff për Berchtold, Londër 1 maj 1913.
[76] P. Popovitch, Le Montenegro et la questione de Scutari, Geneve, Bibloteka Kombëtare Shqiptare, 80T 23; f. 11.
[77] OUA, nr. 6835 AIH; A 41-42 , f. 58-59; Berchtold për Sazanov; Vjenë 1 maj 1913.
[78] OUA, nr. 6799; AIH; A 41-42, f. 51; Giesel për Berchtold, Cetinë 28 prill 1913 .
[79] OUA, nr. 6865 AIH; A 41-42, f .67; Giesel për Berchtold, Cetinë 2 maj 1913.
[80] DDF, Les Affaires Balkaniques 1912-1914; Vëllimi II, 3 decembre 1912-10 gusht 1913; nr. 278, f. 179, Doulcet per Pichon, Petërburg 1 maj 1913.
[81] Rosemary C. Tompkins, Anglo-Russian diplomatic relations 1907-1914,Texas 1975, f. 282
[82] Gunther Bischof, Anton Pelinka, Michael Gehler, Austrian forign policy in historical context, Transaction Publisher 2006, f. 88.
[83] OUA, nr. 6870; në AIH; A 41-42, 68-71; Protokoll i Këshillit të Ministrave të Monarkisë Habsburge nën kryesinë e Berchtold, Vjenë 2 maj 1913.
[84] Milan Vego, Austria-Hungarian naval polici 1904-1914, Great Britain 1996, f.153.
[85] OUA, nr. 6873, në AIH; A 41-42, f. 71-72; Giesel për Berchtold; Vjenë 3 maj 1913.
[86] John, D. Treadway, The falcon and the eagle..f. 150.
[87] Po aty f. 149.
[88] Po aty, f. 149.
[89] AQSH, F. 1501-6, Arkivi i Ministrisë së Jashtme Italianë, dosja 58, viti 1913, Avarna për San Gulianon, Vjenë 5 maj 1913.
[90] Milan Vego, Austria-Hungarian naval polici 1904-1914,..f.153.
[91] DDF, Les Affaires Balkaniques 1912-1914; Vëllimi II, 3 decembre 1912-10 gusht 1913; nr. 289, f. 186, Pichon per Cambon, Paris 4 maj 1913.
[92] DDF, Les Affaires Balkaniques 1912-1914; Vëllimi II, 3 decembre 1912- 10 gusht 1913; nr. 92, f. 187, Notë e ambasadës ruse, Paris 4 maj 1913.
[93] Isa Bicaj, Marrëdhëniet shqiptaro-malazeze 1881-1914, Prishtinë 2003, f. 166.
[94] Rosemary C. Tompkins, Anglo-Russian Diplomatic Relations 1907-1914, Texas 1975, f.287
[95] Po aty, f. 298-299
[96] Po aty, f.287
[97] Isa Bicaj, Marrëdhëniet shqiptaro-malazeze 1881-1914, Prishtinë 2003, f. 167.
[98] OUA, nr. 6908, në AIH; A 41-42, f .76, Mensdorff për Berchtold, Londër 5 maj 1913.
[99] OUA, nr. 7003, në AIH; A 41-42, f. 89; Berchtold për Zambaur, Vjenë 12 maj 1913.
[100] OUA, në AIH, vj 23-34-3447; Raport sekret i Vjenës, 13 maj 1913.
[101] F.R.Bridge and Roger Bullen, The Great Powers and the European State System 1814-1914, New York 2005, second edition f. 322.