KONTRIBUTI I PREFEKTURËS SË BERATIT NË MBAJTJEN E KONGRESIT TË LUSHNJES
Dr. Marela GUGA*
PËRMBLEDHJE
Shqipëria po ballafaqohej me situata të rrezikshme ndërkombëtare deri në humbje të pavarësisë së saj. Kjo për faktin se diplomacia evropiane nuk po i përmbahej zgjidhjeve të saj politike, duke vënë në rrezik kufijtë e saj etnikë dhe historikë. Në Jug formohen “Komitete të Shpëtimit Kombëtar” dhe gjatë muajit dhjetor nisin dhe reagimet qytetare. Protestat u shoqëruan edhe me kërkesën për një kuvend kombëtar, nga mund të dilte një qeveri dhe institucione në mbështetje të vullnetit të popullit shqiptar. Në mes të dhjetorit 1919 një grup atdhetarësh nga prefektura e Beratit, të mbështetur nga organizatorët e kongresit dhe diplomatë të huaj iu drejtuan bashkive në prefektura dhe nënprefektura për të dërguar përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Në këto momente delikate për vendin, roli i qeverisë britanike ishte mjaft i rëndësishëm. Ajo mbështeti lëvizjen kombëtare drejtuar ndërhyrjes ushtarake të Italisë, duke dhënë ndihmesë për gjetjen e një formule për shpëtimin kombëtar. Bashkia e Beratit në bashkëpunim me bashkitë Lushnjë, Mallakastër, Fier e Skrapar kontribuon në këtë inisiativë politike edhe pse prefektura ndërmori masa ndaluese. Rreth 14 mijë forca ushtarake dhe vullnetarë u vunë në dispozicion të Kongresit që nisi punimet më 21 janar 1920. Në Kuvendin Kombëtar që u mbajt në Lushnjë u krijua një model i ri politik dhe shtetëror pa ndikim të huaj. Pavarësisht pengesave, Kongresi Kombëtar do të shënonte një kthesë historike për shqiptarët, vetëqeverisje të Shqipërisë, forcim të bashkimit kombëtar dhe një politikë të brendshme dhe të jashtme me mbështetje ndërkombëtare. Ndaj dhe vendimet e marra u shoqëruan me mitingje solidariteti në prefekturën e Beratit dhe gjithë prefekturat e tjera.
Fjalë kyçe: Kuvend Kombëtar, mbështetje popullore, zgjidhje politike
*Doktoreshë, Profesoreshë, Historiane, Studiuese, Berat, Akademia Alternative Shkencore Rrënjët Tona, Tiranë. UNIVERSITETI “A. XHUVANI” ELBASAN FAKULTETI SHKENCAVE HUMANE, marela.guga@yahoo.com
SHQIPËRIA E VITIT 1920
Shqipëria e vitit 1920 po ballafaqohej me situata të rënda ndërkombëtare. Fqinji ynë Jugor po rrezikonte kufijtë gjeografik dhe historikë të vendit, duke zgjuar kësisoj kujtesën e shqiptarit për protesta dhe kundërshti. Në fillim të vitit 1919 krijohet “Komiteti i shpëtimit kombëtar” ose shoqëria “Bashkimi”, e cila u vu në krye të protestave në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Protesta më e madhe u shënua në qytetin e Vlorës më 28 nëntor, ditën e Pavarësisë. Vala e protestës u drejtua ndaj politikës italiane dhe marrëveshjes së 29 korrikut 1919 në Paris, midis dy ministrave, ministrit të Jashtëm italian Titoni dhe kryeministrit grek Venizellos. Edhe në Korçë, administrata franceze po bëhej gati t’ia përcjellë pushtetin administrativë qeverisë së Athinës. Po kështu, Qeveria e Durrësit kishte dështuar në qeverisjen e saj, duke treguar se nuk ishte tjetër, veç një mjet politik në duart e italianëve.
Në këto kushte, mbajtja e një Kongresi Kombëtar ku do të përcaktohej një politikë kombëtare për shpëtimin e vendit, ishte hapi më i rëndësishëm i elitës politike shqiptare atëkohë. Më 18 gusht të vitit 1919, Ahmet Zogu i propozonte Aqif pashë Biçakçiut të paraqiste në këshillin bashkiak të Elbasanit nismën për mbajtjen e një mbledhje kombëtare, por ky këshill, nën presionin e Shefqet Vërlacit, një tjetër emër me influencë në këtë qytet, e hodhi poshtë. Një bashkëpunim u kërkua edhe me patriotin Sheh Ibrahim Karbunara në Lushnjë dhe kryetarin e bashkisë Berat Iliaz Vrionin për mbështetjen e një nisme të tillë me karakter kombëtar.
Një shtysë për mbajtjen sa më parë të Kongresit, u bënë pazarllëqet e Fuqive të Mëdha në dëm të interesave të shtetit shqiptar. Kjo intesifikoi punën e grupit të punës ngritur në Lushnjë dhe kuvendmbajtësve, që në mes të dhjetorit 1919 t’i drejtohen me një thirrje të gjitha bashkive në vend, për të zgjedhur dhe dërguar sa më parë emrat e delegatëve për në Lushnjë. Me këtë nismë, organizatorët, po përpiqeshin të zëvendësonin në rrugë legale qeverinë e Durrësit me një qeveri të mirëfilltë kombëtare, që do të mund të largonte dhe ushtrinë italianë nga Shqipëria. Nisma e elitës atdhetare shqiptare gjeti mbështetje edhe te ndërkombëtarët, madje konsulli Eden i Inteligjencë Services, realizoi disa takime në qytetet Berat dhe Gjirokastër, prej nga iu kërkua kryebashkiakëve të dërgonin me urgjencë emrat e delegatëve për në Kongres, mbështetje morën edhe nga gjenerali francez Bardi dë Furtu .
Nga ana e saj, prefektura e Beratit u kujdes të dërgonte në Kuvend, njerëzit më të spikatur nga aristokracia qytetare beratase, njerëz që gëzonin simpati popullore. Ata të cilët kishin luftuar së hershmi për gjuhën dhe shkollën shqipe dhe ishin propoganduesit e idesë së shqiptarisë. Si asnjëherë tjetër, politika shqiptare nuk kishte treguar përgjegjshmëri dhe vetëdije kombëtare si në Kuvendin Kombëtar të Lushnjës. Secili prej tyre, vinte me dëshirën për një qeveri kombëtare të ” shqiptarëve për shqiptarët”. Letra e Rexhep Mitrovicës tregon angazhimin e tij për sa më shumë pjesëmarrje dhe sukses të mbledhjes, duke konfirmuar prezencën e dy figurave politike, Ahmet Zogut dhe Iljaz Vrionit.
Në prefekturën e Beratit vazhdonte të qëndronte komanda italiane, e cila nuk e mori seriozisht si organizimin e Kongresit dhe qëllimin antiitalian të tij. Ata, italianët, mendonin se kjo mbledhje drejtohej kundër Qeverisë së Durrësit, dhe nuk mendonin se Kongresi do të drejtohej edhe kundër tyre. Gjenerali Piaçentini vazhdonte të mendonte se “shqiptarët e çmonin veprën e ushtrisë italiane në Shqipëri.” Kjo sjellje e komandës italiane , sipas prof. A. Putos, vinte sepse “…Italia nuk donte të prishte çdo urë komunikimi me nacionalizmin shqiptar, ndaj ajo nuk nxitohej të kundërvepronte, me bindjen se kishte ende një krah politik që nuk shikonte zgjidhje tjetër veç mbështetjes italiane”, gjithsesi çdo ditë në kodrat e qytetit të Lushnjës, batalionet italiane, bënin qitje me pushkë e mitraloza. Sipas gjeneralit francez Bardi dë Furtu lëvizja që çoi në Kongresin e Lushnjës ishte pasojë edhe e gabimeve të kryera nga autoritetet italiane. Shumë u diskutua për vendin e mbajtjes së Kongresit. Tirana më 12 janar 1920 mbajti mbledhjen e parisë dhe ulemasë, të cilët vendosën që t’i kërkohej kryetarit të përlimtares Lushnjë që Kongresi të mbahej në Tiranë. Mustafa Kruja kërkonte të mbahej në Krujë. Po kështu, gadishmëri tregoi edhe kryetari i bashkisë së Beratit, Durrësit dhe Elbasanit. Një prej organizatorëve të Kongresit, Ferit Vokopola, e lidhë mbajtjen e Kongresit me Lushnjën së pari me situatën e qetë në këtë nënprefekturë, pozicionin gjeografik dhe infrastrukturën rrugore. Më 1 janar 1920, komisioni organizator i përbërë nga 22 anëtarë: Mustafa Vokopola, Emin dhe Ferit Vokopola, Abedin Ibrahimi, Qemal Mullai, Halit Libohova, Syrja Pojani, Eshtref Frashëri, Nebi Sefa, Llazar Bozo, Rasim Hoxha, Abedin Nepravishta, Abdulla Aga, Arif Qafëmolla, Jakov Bozo, Hasan Abedini, Taulla Sinani, Reshit Shazimir, Hamit Xheka, të drejtuar nga kryetari i bashkisë Besim Nuri, nisën punën. Fillimisht u dërguan ftesat bashkëngjitur me një letër shpjeguese mbi vendimin e thirrjes së kongresit, qëllimin që ishte; një vetëqeverisje të plotë të Shqipërisë, bashkimin kombëtar, dhe një politikë të brendshme dhe të jashtme që mbështetej nga faktori ndërkombëtar, ndaj iu kërkua forcave politike shqiptare të bashkëpunonin në dobi të vendit.
Ishte vendosur që mbledhja të mbahej më 1 janar, por për arsye organizative u shty për tre javë. Në 18 janar, kishin mbërritur në Lushnjë shumica e delegatëve. Gjithçka ishte përgatitur me kujdes, madje edhe hymni i krijuar nga Ferit Vokopola, u ishte mësuar nxënësve të shkollës prej mësuesit Esat Libohova. Qeveria e Durrësit reagoi në fillim të janarit ndaj këtij lajmi. Ajo përdori të gjitha mjetet për të ndaluar mbajtjen e mbledhjes që kishte si mision shpëtimin e atdheut nga rreziqet e fqinjëve, madje u porositën vrasje politike, u bënë shkarkime të zyrtarëve të lartë, e deri te mbështetja ushtarake që iu kërkua gjeneral Piançentinit. Ministri i Financave Fejzi Alizoti, më 6 janar 1920 i kërkoi Avni Dabullait inspektor i përgjithshëm në Lushnjë, të mos lejonte mbajtjen e mbledhjes, por komisioni organizator e refuzoi vendimin e qeverisë së Durrësit. Ministri kërkoi prej gjeneral Piançentinit, që t’i viheshin në dispozicion “dy batalione të milicisë shqiptare të stacionuara në Gjirokastër, e për ti përdorur më pas, në shpërndarjen me forcë të kuvendorëve që ishin mbledhur në Lushnjë, por sipas Sejfi Vllamasit, italianët u mjaftuan në vetëm një efektivë prej 1200 vetash nga milicia e Gjirokastrës.
Nënprefekti i Lushnjës Veli Vasjari, më 9 janar, informonte prefektin e Beratit Bexhet Kumbaro, mbi mbajtjen dhe qëllimin e mbledhjes kombëtare, që sipas tij, ishte rezultat i një marrëveshje të bërë nga të gjitha viset e Shqipërisë për bashkim kombëtar të shqiptarëve, e për ti dhënë fund mosmarrveshjeve mesveti. Më pas, ai i shpjegon prefektit, pse i ishte ngarkuar kjo iniciativë nënprefekturës së Lushnjës. Disa prej inisiatorëve ishin figura të njohura politike, ata kishin kontribuar në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, madje një pjesë e tyre, do të spikasë mëpastaj, në politikën dhe drejtimin e shtetit shqiptar. Duhet thënë se bashkia e Beratit së bashku me atë të Mallakastrës, Fierit e Skraparit, dërguan forca të shumta vullnetare për mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit. Rreth 14 mijë forca të drejtuara nga oficerë kompetentë dhe patriotë si Riza Cerova, Ismail Haki Kuçi shkuan në Lushnjë për mbrojtjen e kongresistëve. Ferit Vokopola do të kujtonte, se milicia shqiptare jo vetëm nuk guxoi të ngrihej kundër çetat nacionaliste edhe pse i kishin prerë rrugën përgjatë lumit Osum, por kishte prej tyre që aderuan në forcat vullnetare që po shkonin në mbrojtje të Kongresit.
Nisur nga rëndësia dhe brishtësia politike e këtij organizimi, kryetari i përlimtares Berat Iliaz Vrioni, mbante kontakte dhe kërkonte informacione të detajuara në lidhje me organizimin e bërë prej bashkisë së Lushnjës. Madje, ai replikoi ashpër me komandantin e ushtrisë italiane, mbi pasojat që do të rëndonin mbi ta, në rast se ndalonin mbajtjen e Kongresit. I kundërt ishte qëndrimi i prefekturës. Ajo mbajti një qëndrim të ftohtë deri ndalues, duke i kërkuar nënprefekturës së Lushnjes të pengonte me sa të mundte mbajtjen e mbledhjes. Masa e parë e prefektit Kumbaro ishte pushimi nga puna e kryetarit të bashkisë Lushnje Besim Nuri, nënprefektit Veli Vasjari dhe komandantit të xhandarmërisë Meleq Frashëri. Kësisoj, Qeveria mendoi të bënte edhe lëvizjen e fundit politike, të thërriste senatin që nuk ishte mbledhur asnjëherë deri atëkohë. Iu kërkua prefekturës së Beratit të dërgonte në Durrës senatorët për të konstituar pushtetin legjislativë.Pavarësisht pengesave të qeverisë së Durrësit dhe asaj Italiane, “krejt intrigat që u bënë për të ndaluar kongresin, u fashitën para vullnetit të popullit, shkruante gazeta “Populli”. Kongresi nisi punimet më 21 janar në shtëpinë e Kasëm Fugës. Në prani të 51 delegatëve përfaqësues nga nëntë prefektura, mbledhjen në emër të komisionit të Lushnjës e hapën Ferid Vokopola dhe Sheh Ibrahim Karbunara. Jo të gjithë delegatët ishin prezentë, kjo për shkak të mos shpërndarjes në kohë të letërthirrjeve. Berati dërgoi Iliaz Vrionin dhe Llambi Goxhomanin. Skrapari Hysen Nikolerën, Mallkastra Bektash Cakranin, Lushnja u përfaqësua nga Sheh Ibrahim Karbunara dhe Llazar Bozo, ndërsa Fieri dërgoi Spiro Papën. Disa prej tyre do të zgjidheshin edhe senatorë. Në seancën e parë, u verifikua nga komisioni i mandateve, vlefshmëria e tyre. Mbledhja e dytë, për shkak të mos prezencës së të gjithë delegatëve, u shty për një javë, dhe më 28 janar u mbajtë seanca e dytë, ku me votim të hapur u zgjodhën kryetari, nënkryetari dhe dy sekretarët. Në mbledhjen e datës 30 janar, dolën dhe institucionet legjislative dhe ekzekutive: Këshilli Kombëtar ose ndryshe Senati, prej ku u nominuan 42 senatorët; Këshilli i Lartë ose Regjenca me katër anëtarë dhe kabineti qeveritar. Për prefekturën e Beratit u zgjodhën senatorë: Hysen Vrioni, Llambi Goxhomane, Ahmet Resuli, Bektash Cakrani dhe Spiro Papa.
Mbledhja e 31 janarit, që ishte mbledhja e pestë dhe e fundit, u mbyll me fjalën e nënkryetarit, i cili i siguroi të gjithë delegatët dhe shqiptarët se “do të mundoheshin me çdo therori për me krye barrën e randë që u ashtë ngarkue për shpëtimin e atdheut dhe kombit.” Në fund të gjithë delegatët dhe sekretariati firmosën dokumentin e dalë nga Kongresi.
Në Lushnjë, për organizimin e ardhshëm shtetëror doli edhe dokumenti i parë kushtetues që quhej “Bazat e Kanunores së Këshillit të Lartë”, i cili më pas u plotësua në dokumentin “Statuti i zgjeruar i Lushnjes”. Edhe pse ishte një mikrokushtetutë me gjashtë nene, ajo kishte shumë rëndësi, sa shtetformuesit e kombit shqiptar, si beratasi Jani Vruho nga Egjipti do t’i sugjeronte nënprefektit Veli Vasjarit se “ dua t’ua shënoj si atdhetar, por edhe si sekretar i shoqërisë “Bashkimi” në Egjipt… që sado i ngushtë në qoftë kanunorja, mos rrëzoni asnjë pikë prej saj, dhe për mbi themelet e atij Statuti, duhet të ndërtoni godinën e ndërtesës shtetërore”, më pas e këshillon: “…të mos lejohen që njerëz shpirtligj të prishin rregullin e Statutit, se kjo sjell prishjen, e më pas, katastrofën … Statutin dhe vetëm Statutin ta ruani e ta mbroni me më të shtrenjtin gjak që të ketë Shqipëria.”- e përfundon letrën Jani Vruho.
Vendimet e Kongresit të Lushnjës mbi krijimin e institucioneve funksionale, rrëzimin e qeverisë së Përkohshme të Durrësit dhe zgjedhja e një delegacioni për në Konferencën e Paqes në Paris, u mbështetën edhe nga qytetarët shqiptarë. Në shenjë solidariteti u organizuan mitingje. Kështu më 5 shkurt, paria e Skraparit dhe Tomoricës organizoi në Çorovodë mitingun mbështetës, ku ata deklaruan përkrahje për vendimet e Kongresit Kombëtar të Lushnjës. Popullit të Beratit edhe pse nuk u lejua të mbante një mitingë solidarizues, premtoi gadishmëri dhe besnikëri për vendimet e Kuvendit dhe qeverinë e dalë prej tij, si dhe mbrojtjen e atdheut nga copëtimi. Media e shkruar u bë tribunë e përshfaqjes së vendimeve të Kongresit, i cili shënonte rijetëzimin e shtetit shqiptar, rifitimin e lirisë, sovranitetit dhe mbrojtjes së kufijve gjeografikë. Gazeta “Shkumbini”, në artikullin Paqë, bashkim, fuqi , shkruante: “… besimi në fuqinë tonë doli sheshit, guximi që flinte u sque, gjumi i randë që na kishte zanë u përnda, bashkimi që do të krijonte punë të mëdha, ai për mbrekulli u lidhë, trimëria e vjetër u shfaq dhe historia e vjetër e lirisë u përsërit ”Ja vdekje ja liri”. Shqipëria në Lushnjë, u prezantua ndërkombëtarisht si shtet i pavarur, dhe shqiptarët me aftësi shtetformuese.
Në përfundim të punimeve, anëtarët e Këshilit të Lartë së bashku me qeverinë u nisën për tu vendosur në Durrës, por aty u kundërshtuan nga italianët dhe qeveria e Durrësit. Në këto kushte, ata duhet të vazhdonin rrugën drejt Tiranës, dhe më 11 shkurt 1920 qeveria kombëtare mbërriti në Tiranë , prej nga ku nisi veprimtarinë e saj të pavarur.
Më 7 shkurt, qeveria e Sulejman Delvinës nxorri një vendim, ku i kërkohej strukturave vendore që të bashkoheshin me administratën e qeverisë së re. Në këto kushte, qeveria e Durrësit dorëhiqet. Në fillim të marsit, nisi intregrimi i prefekturave në strukturat organizative të shtetit të porsaformuar shqiptar. Më 2 mars, prefektura e Beratit, njoftonte tërheqjen e pjesëshme të forcave italiane, dhe organizimin e forcave të armatosura vendase në mbrojtje të kufijve shtetëror nga agresioni grek, duke konfirmuar de jure njësimin e pushtetit të prefekturës me pushtetin qëndror. Këshilli Kombëtar i dalë nga Kongresi Lushnjës nisi punimet më 27 mars 1920, datë kjo që shënon edhe fillimin e jetës parlamentare në Shqipëri. Për Mustafa Krujën ish ministër në qeverinë e Durrësit, Kongresi i Lushnjës ishte një nga ngjarjet më madhore në historinë tonë kombëtare, që tregoi vullnetin e elitës shqiptare për të rijetëzuar shtetin shqiptare me institucione të mirëfillta shqiptare. “Pa Lushnjen nuk do të kishte ndodhur mbrekullia e Vlorës”, shkruan M. Kruja.
Për Mithat Frashërin, Lushnja ishte një gatim tërësisht shqiptar dhe kundër Europës, kundër Konferencës së Paqes. Kongresi i Lushnjes i tregoi botës se shqiptarët me fuqinë dhe mjetet e tija di t’ia dalë. Ai është një prej akteve më të mëdha të patriotizmës. Por ekulibrat politikë u prishën shumë shpejt, dhe qeveria e Sulejman Delvinës hyri në krizë. Pas më shumë se 69 mbledhjesh të këtij këshilli, shtatë deputetë dorëhiqen. Mbledhja e 15 nëntorit ishte e fundit dhe e shtatëdhjeta, prej nga ku u votëbesua edhe qeveria me kryeministër Iljaz Vrionin. Në mbledhjen e 24 nëntorit, deklarojnë dorëheqjen nga mandatet e tyre dhe 18 deputetë të tjerë, midis së cilëve edhe deputetët e Beratit: Spiro Papa, Hysen Vrioni, Bektash Cakrani dhe Llambi Goxhomani. Kjo bëri që 25 senatorë të largohen nga Këshilli Kombëtar, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të para parlamentare në Shqipëri dhe parlamentit të parë të prillit 1921. Më 29 nëntor 1920, ish kryetari i bashkisë Berat Iljaz Vrioni, votëbesohet në parlament si kryeministër. Nga vitit 1920-‘25 shteti shqiptar do të kalojë disa kriza politike, duke e sjellë Iljaz Vrionin tre herë kryeministër i vendit.
Si përfundim mund të themi se, Kongresi i Lushnjes është ngjarja më madhore e historisë sonë kombëtare, që rijetëzoi Shqipërinë dhe i hapi rrugën anëtarësimit në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920. Pas kësaj, Shqipërisë iu rezervua e drejta e aksioneve politike, duke u bërë palë në shoqërinë e kombeve europiane. Për herë të parë shteti shqiptar do të funksiononte mbi dokumentë kushtetuese dhe institucione të mirëfillta shqiptare. Pas Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ky ishte kuvendi i dytë që shqiptarët u bashkuan për çështjen kombëtare.
BIBLIOGRAFI
Arkivi Qëndror Shtetëror, Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar(Përmbledhje dokumentesh), Tiranë, 1976.
Guga, M. Prefektura e Beratit 1920-1939, Albanian University Press, Tiranë, 2012.
Guga, M. Jani Vruho, pena shqipe e Misirit, Tiranë, 2019.
Puto, A. Shqipëria politike 1912-1939, Tiranë, 2009.
Qarkore e Ministrisë së Brendshme, shtypshkronja “ Nikaj”, Shkodër, 1921.
Hysi, G. Organizimi i shtetit shqiptar dhe lufta politike rreth tij në v.1920-1924, Tiranë, 1998.
Kuvendi i Shqipërisë, Ligjëvënësit shqiptar 1920-2005, Tiranë, 2005.
Kongresi Lushnjës dhe Lufta e Vlorës, Tiranë, 1974.
Veizi, F. Qeveria e Kongresit të Lushnjes dhe veprimtaria e saj 1918-’20 , Tiranë 1987.
Vllamasi, S. Ballafaqimet politike në Shqipëri, Tiranë , 2000.
Gazeta “Shkumbini”, Elbasan, 1 prill 1920.
Gazeta Bashkimi i Kombit, 21 janar 1944, nr.17.
Gazeta “Populli”, Shkodër, 6 shkurt1920, nr.53.